Transmetuar më 23-05-2020, 12:45

Kryeministri Edi Rama zhvlerëson urdhrin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke vendosur që të hapë xhamitë të dielën, me rastin e Fitër Bajramit.

Kjo pasi me urdhër të ministres, u anulua falja e besimtarëve në xhami.

Teksa jep lajmin e mirë për besimtarët që kanë agjëruar për Bajram dhe që mund të falen të dielën në xhami, ai nuk lë pa ironizuar opozitën, por nga ana tjetër thotë se tempujt e tjerë fetarë do të hapen duke nisur nga java e ardhshme.

Kryeministri deklaron se “Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin musliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram”.

Kreu i qeverisë thumbon duke thënë, “Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre”.

Ndër të tjera nënvizon se pasi është bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe janë përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, “jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit”.

Rama e mbyll qëndrimin e tij duke u uruar Bajramin besimtarëve myslimanë.

“Uroj edhe që hapja e xhamive (nën kujdesin e madh të drejtuesve shpirtërorë të komunitetit për respektimin e protokollit të propozuar prej vetë atyre) të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish, për të gjitha komunitetet dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë”, thotë Kryeministri. /a.y/noa.al

Mbyllje të dielën, Vasili: Mos ju bindni! Bëni faljen e Bajramit

Rama urdhëron mbyllje totale të dielën e Bajramit, lejohen vetëm pleqtë dhe nënat me fëmijë