Përgatitjet për festën e Fitër Bajramit në botë
Transmetuar më 23-05-2020, 21:15

Këtë fundjavë, myslimanët në mbarë botën shënojnë festën e Fitër Bajramit, me të cilën edhe përfundon Muaji i Shenjtë i Ramazanit. Por, këtë vit për shkak të masave kundër pandemisë, shumë myslimanë në botë nuk do të mund ta shënojnë këtë festë, sipas traditave të zakonshme.

Shumë ceremoni të lutjeve të festës së Bajramit, festivale në natyrë dhe festime të tjera publike janë anuluar në të gjithë botën për shkak të pandemisë së COVID-19. Kufizimet e udhëtimit gjithashtu po ua pamundësojnë shumë familjeve që të mblidhen për të festuar.

Ekspertët shëndetësorë thonë se tubimet mund të rezultojnë me shpërthime të reja të epidemisë. Shumë tregje, që normalisht do të ishin të mbushura me blerës para Bajramit, janë të mbyllura si pjesë e masave kundër COVID-19. Edhe tradita e dhënies së parave për të varfrit është ndikuar nga kufizimet dhe shqetësimet në rritje se sëmundja mund të transmetohet te personat që marrin paratë.

Ekspertët thonë se kërcënimi më i madh për shëndetin publik, gjatë festës së Bajramit është tradita e besimtarëve, të cilët mblidhen së bashku për lutje në xhami. Edhe në komunitetet konservatore myslimane, ku xhamitë kanë mbetur të hapura gjatë gjithë Ramazanit, disa besimtarë kanë zgjedhur të mos shkojnë për t’u falur. Ne Rusi, kleriku i lartë mysliman miratoi mbylljen e xhamive gjatë Ramazanit, për shkak të pandemisë dhe ka këmbëngulur që të mos ketë tubime masive dhe lutje në grup.

Vitet e fundit në Moskë, autoritetet janë detyruar të mbyllin rrugët gjatë festës së Bajramit për shkak të turmave të mëdha të njerëzve të mbledhur në xhamitë kryesore të qytetit. Por, këtë vit, xhamitë e Moskës do të jenë të mbyllura gjatë festës së Bajramit. Të gjitha ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore këtë vit kanë ndaluar tubimet për iftar, gjatë gjithë muajit të Ramazanit.

Respektimi i masave shëndetësore gjatë muajit të Ramazanit ka ndryshuar nga një vend në tjetrin. Në Pakistan, xhamitë që ishin mbyllur në mars dhe prill, janë hapur për ritualet fetare. Në këtë vend janë lehtësuar edhe masat tjera të izolimit. Në Iran, vend ky i cili është goditur rëndë nga pandemia, qeveria thotë se lutjet e Bajramit do të lejohen në zonat që janë përcaktuar si vende me “rrezik të ulët”.

Nderkaq ne Berlin, një kishë ka mirëpritur myslimanet per lutjen e se Premtes, pas udhëzimeve për distancim fizik. Gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kisha Martha Lutheran ka ofruar ndihmë, duke u mundësuar besimtarëve myslimanë lutje në gjuhën arabe dhe gjermane. Objektet fetare janë rihapur më 4 maj në Gjermani, pas mbylljes disajavore, ndonëse edhe tani besimtarët duhet të mbajnë distancë nga njëri-tjetri prej 1.5 metrave.

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë thirrje për hapje të objekteve fetare “menjëherë”, duke e konsideruar këtë gjë “të domosdoshme”. “Në Amerikë neve na duhet të lutemi më shumë, jo më pak”, ka thënë ai, teksa ka kritikuar guvernatorët shtetërorë, të cilët kanë lejuar hapjen e dyqaneve të pijeve alkoolike dhe klinikave për abort. Kjo deklaratë ka ardhur teksa Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka lëshuar udhëzime sesi mund të rihapen kishat dhe xhamitë.