Transmetuar më 24-05-2020, 20:30

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një komunikim publik sonte për të folur mbi masat e reja pas 1 qershorit në kuadrin e pandemisë COVID-19. Ai doli me veshje të zakonshme nga oborri i shtëpisë së tij në Surrel pranë Tiranës.

Z.Rama njoftoi se nga 1 qershori do të hapen kufijtë tokësorë me të gjithë fqinjët.

Ai njoftoi se të gjitha plazhet nuk do të hapen as më 1 qershor. Por plazhet do të hapen vetëm për hotelet që presin turistë. Ndërsa nga 10 qershori plazhet do të hapen për këdo, në të gjithë vendin.

Sakaq Rama tha se java që vjen do të jetë e fundit me orar shtetrrethimi. Por e shtuna dhe e diela do të jetë sërish e mbyllur për lëvizjen e automjeteve edhe për dy javë të tjera. Në pjesën e dytë të qershorit, korrik, gusht e shtator ky kufizim fundjave do të hiqet.

Por nga tetori në mars do të ketë çdo fundjavë, ndalim qarkullimi për makinat.

Sakaq gradualisht duke nisur nga qershori do të rihapet transporti publik në të gjithë vendin, urban dhe ndërurban, pasi brenda kësaj jave përgatitet platforma.

Rama foli edhe për rrezikun e një vale të dytë pandemie duke theksuar se virusi është ende aty.

Deri tani, në zonat e gjelbra, pjesa më e madhe e vendit, nuk ka asnjë kufizim lëvizjeje dhe asnjë orë ndalimqarkullimi. Kurse në Tiranë e Durrës, ende shtetrrethimi është nga ora 21.00 deri më 05.00.

Rama sqaroi se kufizimet që po vazhdojnë gjatë fundjavës bëhen pasi mbipopullimi i njerëzve është më i lartë në ditët e pushimit e për pasojë mund të çojë në rritjen e numrit të infektuarve me koronavirus.

Çfarë ndodh në vijim

Java 25-29 maj 2020

Vazhdon ndalimqarkullimi nga ora 21.00 deri në 05.00 për njerëzit dhe automjetet.

Dyqanet lejohen hapur nga 05.00 deri në 21.00.

Fundjava 30-31 maj 2020

Mbyllje e plotë e lëvizjes së automjeteve si fundjavat e mëparshme. Dyqanet ushqimore dhe farmacitë, hapur të shtunën deri në 21.00. Të dielën mbyllur. Lokalet mbyllur gjithë fundjavën.

1 qershor

Hiqet ndalimqarkullimi në të gjithë Shqipërinë

1 qershor

Hapen kufijtë tokësorë me vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi.

1 qershor

Hapen plazhet vetëm për hotelet.

10 qershor

Hapen të gjitha plazhet

Fundjavat 6-7 dhe 13-14 qershor, ndalimqarkullimi i automjeteve.

E PLOTË / Komunikimi publik i Kryeministrit për vijimin e Fazës II të hapjes në 1 qershor: 

A është virusi më aktiv të shtunën dhe të dielën dhe a ka fasha orare të ndryshme nga fashat orare që përdoren për ta luftuar atë?

E nisa me këtë pyetje absurd këtë komunikim, sepse lexoj e lexoj plot komente e komentatorë, që nga padija apo padurimi ironizojnë, shajnë e mallkojnë, mua të parin, për fashat orare. Në fakt është shumë e thjeshtë. Mjafton të kesh pakëz dëshirë të arsyetosh. E gjithë dinamika e kësaj lufte, e cila do të jetë gjithnjë e më shumë betejë e përditshme e secilit me veten, në radhë të parë, varet qysh prej ditës 1 nga niveli i ekspozimit të popullatës ndaj virusit. Nëse nuk është vështirë të kuptohet pse në Fazën I, orët e lëvizjes ishin shumë të kufizuara për punë apo për pazare, Faza II nisi me lehtësime, me zona dhe fasha të ndryshme, ashtu sikundër s’besoj të jetë më e vështirë për t’u kuptuar se me fashën tanimë të hequr fare në zonat e gjelbra, apo të zgjeruara deri në 21:00 në zonat e kuqe, dita e shtunë dhe e dielë ka një rrezik shumë më të madh ekspozimi, nëse lejohet qarkullimi i lirë i makinave dhe derdhja në rrugë e të gjithëve, pa përjashtim, në këtë mot kaq të bukur dhe joshës. Pra, nuk është virusi që na lufton me orare, edhe as që del i armatosur të shtunën a të dielën në zonat e kuqe, por jemi ne që përpiqemi të mbrohemi ndërkohë që hapemi me kujdes dhe zgjerohet hapësira jonë e lëvizjes.

Unë e kam ditur dhe ua kam thënë qysh prej ditës së parë e në vijim se çfarë lufte nervash dhe sprovë ekstreme durimi do të ishte e gjithë kjo dreq historie. Nëse sot, shumëkush e hedh ujët përpjetë, duke bërë të zgjuarin e duke përqeshur gjithçka kemi bërë deri këtu, sepse i duket krejt gabimisht sikur e tëra ishte kot, përderisa nuk numëruam mijëra, apo qoftë edhe qindra të vdekur, e vërteta që e di çdo mendje e kthjellët është se pikërisht pse ne bëmë ato që bëmë dhe po bëjmë ato që po bëjmë, nuk patëm vuajtjet e tmerrshme të shumë vendeve dhe popujve të tjerë.

Shteti Masacusets në Amerikë dihet botërisht si shteti me sistemin më fantastik shëndetësor të SHBA-ve. Ka dyfishin e popullsisë së Shqipërisë dhe sot është ende i mbyllur, teksa ka numëruar gjer më tash mbi 6 mijë të vdekur. Pse? Pikërisht sepse nuk bëri këto që plot ndjekës të kësaj faqeje i quajnë budallallëqet e mia dhe më tregojnë Suedinë, komplotin e Bill Gates, për t’iu futur laçianëve dhe myzeqarëve mikrocipin në trup përmes vaksinës, që t‘u kontrollojë pastaj mendimet, komplotin e madh global për të vrarë pleqtë, që kapitalizmi të mos harxhojë lekë për pensione dhe lloj-lloj fantazish, absurditetesh të kësaj natyre në botën akademike të rrjeteve sociale.

A e dini që Suedia, sot ka numrin më të madh të vdekjeve për 1 milionë banorë në planet, ndërsa Shqipëria ndër më të ulëtit? Suedia nuk është vendi i “qe palla o vëlla”, as vendi ku bëhen dasma me 500 vetë, pa llogarit faktin se ata s’kanë nevojë as për polici, as për ushtri në rrugë, kur qeveria u thotë ruani distancat, mos u mblidhni më shumë se pak vetë rrugëve, mos shkoni për ditëlindje e ngushëllime te njëri-tjetri, etj..

Tani kanë filluar pretendimet se bota qenka hapur dhe vetëm Shqipëria rri mbyllur, se kështu i thotë mendja naltgjatësisë sime, sipas tyre, ndërkohë që na doli së fundmi se tërë turmat e zhurmave me molotov e flakëhedhës e me bllokime rrugësh e bojkotime zgjedhjesh paskan pasur hallin te teatri, Shekspiri dhe Molieri?

Cila botë është hapur më shumë se Shqipëria sot? Në Fazën II? Ku?

Shkoni në Greqi e provoni të bëni xhiro me makinë jashtë kufijve të prefekturave. Shkoni në Itali e lëvizni me makinë nga veriu në jug, sipas qejfit. Shkoni në Spanjë dhe ikni me makinë në plazh e me radhë, ku të doni dhe shiheni se në fakt, ne jemi duke hedhur hapat sipas një plani të mirëmenduar, por jo dhe ngadalë, përkundrazi! Jemi gati të hapim kufijtë tokësorë, por e dini që duhet të marrim miratim nga vendet me të cilat kemi lidhje direkte të transportit ajror, sepse nëse jo, po qe se ne hapemi me shtetet e tjera, atëherë nuk hapen ato vende me ne. E keni ndjekur ju se çfarë bëhet në BE me qarkullimin e lirë mes vetë vendeve të BE-së dhe a e dini se Shengeni deri në 15 qershor është i mbyllur, ndërkohë që fluturimet mes vendeve janë po ashtu të mbyllura hë për hë? Nejse!

Kush ndihet më mirë po të shajë, po të tallet, po të akuzojë, le të vazhdojë, nuk ka asnjë problem. Faktet janë fakte dhe fakti që disa nuk duan as t’i dinë faktet, por nisen nga llafe, nga muhabete pa lidhje, të nxjerra nga rrjetet e merimangave digjitale, nuk e ndryshon në fakt të vërtetën. E vërteta është e qartë për këdo që ka sy e do të shohë, që ka veshë e do të dëgjojë, që ka tru e do të mendojë në luftën globale, në atë që botërisht u quajt armiku i padukshëm, ne Shqipëria kemi bërë sëbashku një histori të padiskutueshme suksesi, që do të mbahet mend dhe do të shkruhet në librin e historisë së këtij vendi e të kësaj pandemie. Pikë muhabeti!

Virusi nuk ka ikur, është mes nesh dhe rreziku i një vale të re infektimesh nuk është si rreziku i revolucionit imagjinar të atyre që donin ta kthenin karakatinën e Teatrit Kombëtar në çadrën e re të atij revolucioni dhe të lemerisnin botën me talebanët që u shfaqën në Shqipëri. Rreziku i krijimit të një zinxhiri të ri infektimesh është real e ndërkohë që duke nisur nga e hëna, 1 qershor, ne do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët për të gjithë shqiptarët, qofshin me pasaportë të Shqipërisë apo Kosovës, Maqedonisë së Veriut a Malit të Zi, ne do të vazhdojmë t‘u bëjmë thirrje pa pushim, të gjithëve, pa përjashtim, për kujdes!

Në 1 qershor do të hapim kufijtë, por ende jo plazhet. Kam marrë të shara me libër shtëpie, dje, nga plazhistë në Dhërmi, që i kishte ngritur e përzënë Policia e Shtetit. S’ka problem! Sharjet në tym e akuzat për lumë janë bërë shëndete si zakonisht, ja ku jam, por nuk kam ndërmend të bëj të mirin, për t’i hapur rrugë të keqes. Askush sot në Europë nuk i ka hapur plazhet. Nuk ka asnjë vend që ka hapur plazhet. Pse, kur ne bëjmë të njëjtën gjë, hidhen përpjetë më shpejt e më lart, ata që, kur janë jashtë shtetit, nuk bëjnë as gëk e as mëk.

Sidoqoftë, këtë javë, ne mbyllim dhe sistemin e administrimit të plazheve, ku për shkak se jemi në këtë situatë, parimin e “rërës së xanun“ me çadra e shezlong do ta ndëshkojmë pa asnjë kompromis. Greqia ka vendosur t‘i hapë plazhet në korrik, të tjerë nuk kane vendosur ende, ndërsa ne do t’i hapim nga 1 qershori, vetëm për hotelet e pas 10 qershorit, për të gjithë, pa përjashtim.

Këtë javë do të ngrihet një autoritet i përkohshëm licencues i plazheve nga subjektet private, ndërkohë që të gjitha të ardhurat do t’i kalojnë bashkive, si gjithmonë. Asnjë kontratë e mëparshme nuk do të njihet nëse nuk do të konfirmohet nga ky autoritet licencues dhe asnjë kontratë e re nuk do të lidhet nga bashkitë pa miratimin paraprakisht të këtij autoriteti licensues. Ne duam që hoteleria shqiptare të punojë me fuqi të plota e të mos konkurrohet në mënyrë të pandershme e të paligjshme, padrejtësisht, në ofertën e shërbimit për plazh. Ne duam që shqiptarët që duan të shkojnë në plazhe publike, pa salltanete të mëdha, por ama ta kenë këtë mundësi e askush të mos u vërë taksën e të fortit, apo të faktit të kryer. Ne duam që ky sezon të mos jetë i pamundur për sektorin, por njëkohësisht të mos na e bëjë të pamundur përballimin e armikut të padukshëm, që shumëkush ka filluar ta tallë si shprehje, por rezultat i harresës dhe i sjelljes së pakujdesshme të njerezve mund të jetë katastrofik, përsëri e përsëri.

Prandaj motra e vellezër le të vazhdojmë të ecim sëbashku, duke kuruar plagën e hapur të ekonimisë nga kjo pandemi, pa lejuar që shëndeti ynë të preket. Kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve dhe orareve në Tiranë dhe në qytetet tona. Por fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe dy të shtuna dhe të diela, për t’u rikthyer pas sezonit të verës, çdo të dielë minimalisht, nga tetori deri në marsin e ardhshëm, si një moment i përjavshëm për t’ju kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit tonë.

Deri në fund të muajit, ne do të kemi, strategjinë e re për transportin publik dhe do t’i hapim pjesë-pjesë linjat e transportit publik, duke vënë në jetë një reformë tërësore të këtij sektori me nje pjesëmarrje direkte të shtetit në gararantimin e standardeve të reja, jo thjeshtë në funksion të mbrojtes së shëndetit sot, por edhe të rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në transportin publik urban dhe ndërurban nesër.

Shumë shpejt do të paraqesim planin e ri kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike dhe të zhvillimit social. Me synimin që katërmujori i fundit i këtij viti të kthejë normalitetin në të ardhura për familjet shqiptare dhe për vetë shtetin, Shqipërinë, familjen tonë të përbashkët dhe viti i ardhshëm të shënojë një kapërcim të ri përpara, falë paketës së re, tërësore, të reformave të këtij plani të ri kombëtar.

Tanimë jemi në hapat e fundit të proceseve përgatitore të rindërtimit dhe në 45 deri në 60 ditët e ardhshme do të jemi në kantieret e shtëpive të reja individuale dhe të shkollave, kopshteve dhe qendrave të reja shëndetsore. Ndërsa në vjeshtë do të kemi në punë edhe kantieret e mëdha të lagjeve të reja në Tiranë dhe në Durrës, përveçse në Laç, Krujë, Fushë Krujë, Shijak, Vorë etj., ku do nisim më shpejt me blloqet e reja të banimit, që do të jenë shëmbëlltuyrat e një transformimi të jashtëzakonshëm urban dhe social në ato zona.

Uroj që në vjeshtë të kemi përmbyllur edhe proceset e ndërprera nga ndërhyrja e beftë e COVIDIT, të aeroportit të Vlorës, aksit të ri rrugor Milot-Thumanë-Rrogozhinë-Fier, hekurudhës Tiranë–Durrës, si dhe të finalizojmë programin e ndërtimit të aeroportit të Sarandë, sëbashku me tunelin e Llogarasë dhe po ashtu të fazës përmbyllëse të rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Ndërkohë që brenda 9-10 ditëve të ardhshme do të kemi nisur në terren punën për akset e reja Shëngjin –Velipojë dhe besoj, Orikum-Dukat, Vlorë Radhimë-Orikum, sëbashku më nje sërë projektesh të reja më të vogla në kosto, por me impakt të rëndësishëm ekonomik e social në nivelin e komuniteteve, në shumë pika nevralgjike të organizimit të vendit tonë.

Durim dhe besim, të dashur miq!

Ne nuk jemi më të mirët, por besoj e shihni sa vjen e më shumë se më të mirë se ne nuk ka patur, nuk ka dhe besoni, nuk do të ketë besoj edhe për shumë kohë. Sepse ne jemi të vetmit që themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. E koha do ta tregojë pa asnjë ekuivok nesër se Shqipëria e qeverisur prej nesh u bë një vend shumë më i mirë dhe më i respektuar botërisht sesa ç’ishte më parë.

JA SI DO TË VAZHDOJMË TË HAPEMI NË 1 QERSHOR 😊

Publiée par Edi Rama sur Dimanche 24 mai 2020