Transmetuar më 24-05-2020, 23:29

Nga muaji tetor 2020 dhe deri në mars 2021, nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në fundjavë. Kjo është ajo që u njoftua me Facebook nga kryeministri Edi Rama mbrëmjen e së dielës ku transmetoi live nga shtëpia e tij në Surrel.

Z.Rama tha se "çdo të dielë minimalisht, nga tetori deri në marsin e ardhshëm" do të ketë ndalimqarkullim të automjeteve.

Rama e justifikoi këtë vendim që shpalli, "si një moment i përjavshëm për t’iu kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit tonë".

Ndalimi i lëvizjes me automjete për një kohë kaq të gjatë, mund të krijojë probleme të shumta për qytetarët që kanë nevojat e tyre faniljare. Po ashtu, kjo do të nënkuptonte mbyllje të detyruar të të gjitha qendrave tregtare dhe bizneseve jashtë unazës së Tiranës e më gjerë dhe do të dëmtonte edhe më shumë bizneset e tjera që do të detyrohen të mbyllen të dielave në kushtet kur prej afro tre muajsh po përballen me prag falimentimi.

Vendimi u shoqërua menjëherë me reagime të shumta të qytetarëve. Ata në më të shumtën e shohin të papranueshme që z.Rama të shpallë që tani, çfarë planesh ai ka për vendin në tetor dhe për më tepër, anormal vendimin që në të gjithë vendin të ndalohen çdo fundjavë lëvizjet me automjete. /noa.al/