Transmetuar më 25-05-2020, 08:57

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Partisë Demokratike të Mirditës, Preng Toma.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur ngushëllim, teksa thotë se mësoi me hidhërim të thellë largimin para kohe nga jeta të Preng Tomës, njërit prej drejtuesve historikë të Partisë Demokratike në Mirditë.

“I mirënjohur për kontributin e tij pedagogjik shumëvjeçar në fushën e edukimit fizik, e posaçërisht si trajner i ekipit të volejbollit të vajzave të Minatorit, ekipit që ishte shndërruar në krenari të zonës për shkak të rezultateve të suksesshme në nivel kombëtar, Preng Toma ishte një qytetar i angazhuar që ja kushtoi jetën zhvillimit të krahinës së Mirditës”, shkruan Basha.

Ai e cilëson si drejtues të shkëlqyer vendor, në komunën e Kthellës (1996-2003) e më pas në Bashkinë e Rrëshenit (2003-2007), Preng Toma ishte që prej vitit 1996 një nga njerëzit më të votuar nga komuniteti në të gjithë Qarkun e Lezhës.

Basha thotë se Partia Demokratike ishte e nderuar që pati në radhët e veta si drejtues Preng Tomën, si në ditët e pushtetit, por edhe në ditët kur përçonte në të gjithë Shqipërinë modelin e opozitës morale, standardin e fortë të politikës qytetare, dhe qëndrestare që lufton për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari.

“Preng Toma la gjurmë të thella në historikun e ri të pushtetit vendor në Shqipëri dhe me emrin e tij lidhen disa prej investimeve të rëndësishme që janë kryer këto vite në komunën Kthellë dhe bashkinë e Rrëshenit. Me largimin e tij të parakohshëm nga jeta, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë dhe qytetarët e Mirditës e dega e Partisë Demokratike të Mirditës njërin nga drejtuesit e saj më të spikatur. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve. U prehtë në paqe!”, thotë në mbyllje Lulzim Basha.

Preng Toma

Preng Toma