Transmetuar më 25-05-2020, 14:58

Kryedemokrati, Lulzim Basha, u takua ditën e sotme me përfaqësues të biznese në zonën mes Brryllit dhe Xhamllikut në Tiranë, duke konstatuar përkeqësimin e gjendjes ekonomike nga për bizneset e vogla, pas situatës së koronavirusit.

Pronarët e tyre u shprehën se pagesa e vogël e dhënë nga qeveria, është e pamjaftueshme për të mbyllur shpenzimet e muajit, me taksa më të rritura dhe me fatura më të larta për ujin dhe energjinë.

Përballë shqetësimeve të tyre, Basha tha se duhet t’i kthehemi një orë e më parë normalitetit dhe më e rëndësishmja është të mbështetet biznesi, duke nënvizuar se po nuk mbështet ky sektor do të shkatërrohet ekonomia dhe gjithçka.

“Këta e kanë mendjen vetëm të zhvasin e të marrin, sikur nuk do të ketë të nesërme. Kështu që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë të mos e lejojmë këtë. Ndaj i thamë jepu lekë njerëzve, që të mos bjerë konsumi, se po ra konsumi e ndjeni ju, po e ndjetë ju do ta përcillni në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, do ta ndjejë pastaj edhe arka e shtetit.”- u shpreh Basha.

Kreu i opozitës i inkurajoi bizneset e vogla të rezistojnë dhe së bashku të bëjnë ndryshimin që i duhet familjeve shqiptare dhe vendit.

Ai premtoi se gjërat do të ndryshohen dhe askush nuk do të mbetet në mëshirë të fatit. /a.y/noa.al