Transmetuar më 25-05-2020, 17:18

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i është drejtuar me një letër liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në letër ata i kujtojnë z. Basha kontratën që kanë firmosur, por kanë edhe disa sugjerime për reformën zgjedhore.

Sipas AMT, e vetmja alternativë për ndryshimine sistemit zgjedhor është sistemi proporcional kombëtar, me lista te hapura.

LETRA

I nderuar z. Basha,

më 25 korrik 2019, ne, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), kemi nënshkruar një kontratë me ju, si kryetar i PD dhe Opozitës së Bashkuar. Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet:

“Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.”

Sot mbushen 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate dhe ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore.

Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë.

Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021.

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT