Transmetuar më 26-05-2020, 14:46

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaron zyrtarisht se më 1 Qershor, do të hapen kopshtet dhe çerdhet.

Ajo thotë se strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar.

"Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data i Qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”, tha ministrja.

Deklarata e Manastirliut u bë ditën e sotme, teksa mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Sipas Ministres së Shëndetësisë, faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID19.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vëmendje maksimale nga strukturat e shëndetësisë në këtë situatë të fazës së dytë të rihapjes.

“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit", tha Manastirliu.

Duke paraqitur situatën e deritanishme, drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino kërkoi rritje të ndërgjegjësimit edhe të të rinjve.

“Rritja e numrit të rasteve sidomos në Tiranë tregon se sa të kujdesshëm duhet të jemi. Është koha që të rinjtë të jenë të përgjegjëshëm, që e gjithë popullata të jetë e përgjegjshme në mënyrë që të ruajmë distancën dhe rregullat e higjienës”, tha Bino.

Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo deklaroi se situate është e qëndrueshme, por ka raste të rënda në spital dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve.

Profesor Tritan Kalo apeloi për vetëndërgjegjësim nga qytetarët.

“Sfida me COVID19 ende nuk ka përfunduar ndaj masat e vetëndërgjegjësimit dhe kujdesit ndaj vetes mbeten në fuqi sot, nesër dhe në të ardhmen”, tha Kalo.

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vijojë vlerësimin mbi baza ditore dhe 14 ditore të situatës epidemiologjike të COVID19 për vendimet e mëtejshme.

Nga 1 qershori mund të hapen kopshtet dhe çerdhet, rregullat e reja