Transmetuar më 26-05-2020, 15:59

Në përfundim të takimit të zgjatur rreth 50 minuta me kryedemokratin Lulzim Basha, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, deklaroi për mediat se diskutuan për të ardhmen dhe për rëndësinë se si udhëheqësit duhet të përmbushim pritshmëritë e popullit, ashtu siç kanë premtuar.

Në vijim foli për rëndësinë e përfundimit të reformës zgjedhore brenda 31 majit, duke deklaruar se “Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur ambasada e SHBA apo ndonjë faktor tjetër ndërkombëtar, por e kanë caktuar vetë udhëheqësit”.

Kim deklaroi se opozita ka një punë të vështirë, por shtoi se ndihet shumë e inkurajuar nga bashkëbisedimi i kësaj pasdite me Lulzim Bashën dhe se pret rezultat.

Nga ana e tij kryedemokrati Basha tha se organizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është prioritet absolut i opozitës.

“Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është prioritet i opozitës së bashkuar. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve t’i drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin me votën e tyre të lirë dhe të pandikuar nga bandat kriminale, nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit qeverinë e tyre.

Jemi të vendosur për këtë betejë dhe jemi të vendosur që brenda 31 majit reforma zgjedhore do të mbarojë dhe do të bëjmë gjithçka që të zbatohet”, u shpreh Basha. /a.y/noa.al