Transmetuar më 27-05-2020, 10:59

Këtë javë duhet të punoni me afrimin e orarit të veprimtarive të caktuara të fëmijës tuaj. Shumë fëmijë zgjohen vonë dhe flenë po ashtu shumë vonë. Nisni pak e nga pak çdo ditë duke e afruar nga çerek ore drejt orarit të duhur…

Nga Marsida Simo, Sociologe

Pas tre muajsh izolimi në shtëpi, fëmijët e vegjël do të kenë mundësi të shkojnë në çerdhe dhe kopsht. Kryesisht një pjesë e mirë e fëmijëve mbi 3 vjeç e kanë më të shprehur dëshirën për këtë rikthim, sepse patjetër që janë më të pavarur dhe duan ndërveprimin social. Megjithatë kthimi në çerdhe dhe kopsht do jetë shumë e mirë për ta si dhe për prindërit të cilët sado kanë qenë të përkushtuar, nuk janë mësues të vërtetë, dhe ndër të tjera janë rikthyer në punë duke e pasur një tjetër shqetësim kujdesin e të vegjëlve. Për ta lehtësuar këtë proces rikthimi po listojmë disa këshilla të cilat duhen ndjekur që këto ditë.

Bashkëpunim

Së pari prindërit duhet të mbajnë kontakt me edukatoret ku të lidhin një marrëveshje mbi rregullat që do merren në vijim në kopsht. Të diskutohen masat e reja anti Covid, dhe të gjendet një rrugë e mesme për tu përshtatur kërkesave të fëmijëve.

Të paktën për një javë të ketë aktivitete argëtuese sesa program mësimor strikt.

Bisedë

Pothuaj çdo ditë prindërit duhet të flisnin me fëmijën për vajtjen në kopsht si diçka që është e bukur dhe e shumë pritur. Krahasoni veprimet që bëni në shtëpi duke e lidhur me kopshtin.

P.sh: Ja si tani do jesh te kopshti dhe do hash mëngjesin, pastaj do dilni te oborri për të luajtur. Sa qejf, do jeni të gjithë bashkë.

Theksoni rregullat e reja në kopsht mbi pastërtinë dhe edukatoret që do mbajnë maska.

Përshtatni oraret

Këtë javë duhet të punoni me afrimin e orarit të veprimtarive të caktuara të fëmijës tuaj. Shumë fëmijë zgjohen vonë dhe flenë po ashtu shumë vonë. Nisni pak e nga pak çdo ditë duke e afruar nga çerek ore drejt orarit të duhur. Po ashtu mundohuni të zgjoheni herët si familje, dhe të mbani një orar afër orarit të kopshtit në lidhje dhe me vaktet e të ushqyerit.

Shpjegimi vizual

Nxisni fëmijën të vizatojë shoqet dhe shokët e kopshtit. Tregoni emrat dhe veçorit për secilin.

Flisni duke rikujtuar rregullat që ka kopshti. Flisni për mësuesen dhe mezi pritjen që ka ajo ndaj fëmijëve dhe anasjelltas.

Tregime me tematik kopshtin

Në mbrëmje krijoni tregime ku një fëmijë me emrin X, mezi pret të shkojë në kopsht dhe atje nisi të përshtatet me rregulla të reja të pastërtisë. Madje X si një hero i vogël ai lan duart shpesh dhe kujdeset për pastërtinë.