Transmetuar më 27-05-2020, 11:37

Nga Roland Qafoku

Dhjetë vjeç rrahu mësuesin dhe u përjashtua nga shkolla. 16 vjeç ishte autor i dhjetëra grabitjeve, vjedhjeve dhe vrasjeve në New York.

25 vjeç ishte gangsteri i të gjithë gangsterëve të Chicago-s, Amerikës dhe sigurisht më i famshmi në të gjithë botën.

Fitonte në javë 100 mijë dollarë dhe birra dhe Wisky ishin monopol vetëm i tij. Makina e tij peshonte 7 tonë dhe automatiku “Thomson” u përdor për herë të parë nga dora e tij. Fjala.al sjell sot 10 fakte të rralla nga jeta kriminale e Al Capones, mafiozit më të madh të të gjitha kohërave në SHBA dhe në gjithë botën.

1.Alphonse Gabriel Capone ose i njohur shkurt Al Capone (Al Kapone) cilësohet si mafiozi më i madh i të gjitha kohërave në SHBA dhe në të gjithë botën. Askush sa dhe si ai nuk mori famë në të gjithë SHBA dhe në të gjithë rruzullin për shkak të vrasjeve, kontrabandës, monopolist, gjobave, shkeljeve të ligjit dhe të krijimit të një shteti paralel duke sfiduar shtetin zyrtar.

2.Al Capone jetoi 48 vjet e 7 ditë. Ai lindi më 17 janar 1899 në New York dhe vdiq më 25 janar 1947 Brooklyn në New York por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Chicago. Ai ishte djali i Gabriele-s dhe Teresa-s nga Sicilia e Italisë që emigruan në SHBA në shekullin e 19-të.

3.Al Capone ishte i akuzuar nga drejtësia amerikane për kontrabandë pijesh alkoolike, për mospagim taksash dhe për një seri vrasjesh, më e rënda ajo e masakrës së Shën Valentinit më 14 shkurt 1929 ku vetë ai me dorën e vetë vrau 7 persona në një garazh në Chicago. Një eliminim të konkurtencës në biznes por edhe në zonat e influencës së tij.

4.Al Capone u dënua tre herë gjatë gjithë jetës së vet. Heranë e parë u dënua me dëbim nga qyteti i Chicago-s për 10 muaj. Herën e dytë u dënua me 10 muaj burg për mospagim taksash por për sjellje të mirë bëri 8 muaj. Herën e tretë u dënua me 10 vjet burg për mopspagim taksash, por bëri 2 vjet.

5.Al Capone fitonte në javë 100 mijë dollarë nga kontrabanda, grabitjet, gjobat dhe vrasjet që kryente ai dhe banda e tij. Me kursin e sotëm llogaritet që kjo shumë është rreth 2 milionë dollarë.

6.Ngjarja e parë që shënoi rrugën e tij si gangster ishte në moshën 10-vjeçare në klasën e gjashtë kur Al Capone rrahu mësuesin e tij dhe nga kjo u përjashtua nga shkolla. Më pas ai krijoi grupin e tij dhe në moshën 16-vjeçare ishte autor i dhjetëra grabitjeve, vjedhjeve dhe deri vrasje.

7.Makina e Al Capones, një limuzinë tip “Cadillac” jashtë serie që cilësohej si kështjella me rrota, peshonte 7 tonë dhe kushtonte 20 mijë dollarë amerikanë në vitet ‘20-‘30-të që me kursin e sotëm llogaritet 400 mijë dollarë.

8.Al Capone është i pari person në botë që vuri në përdorim automatikun “Thomson”. Një armë e shkurtër, e lehtë dhe efikase, disa mendonin që kjo armë automatike të ndërronte emrin nga Thomson e konstruktorit që e krijoi në Al Capone që e përdori. Nga ai moment banda e tij e kishte “Thomson” si armën “zyrtare”.

9.Pjesën më të madhe të dënimit Al Capone e bëri në burgun famëkeq të Alcatraz-it në San Francisco. Ai është në një ishull, 2.1 km nga bregu i oqeanit dhe rreth e rrotull në ujë vërtiteshin peshkaqenët. Për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste Al Capone u vendos aty. Por gjatë gjithë kohës që Al Capone qëndroi në burg ai bleu një hotel përballë Alcatrazit dhe aty vendosi familjen deri sa doli nga burgu. Ishte e rrallë në ato vite në SHBA të kishe një radio që sapo ishte shpikur, Por Al Capone kishte një të tillë në qeli. Shpesh ai i ftonte gardianët të futeshin në qelinë e tij për të dëgjuar radion e çuditshme. Ky ishte një privilegj që nuk u jepej të gjithëve. Qelia e Al Capones është sot siç ishte në momentin kur ai ishte në burg. Sot Alcatraz nuk funksionon më si burg, por si muze.

10.Al Capone vdiq nga sëmundja e sifilizit që mendohet se e ka marrë në burgun e Alcatraz-it. Në varrimin e tij morën pjesë mbi 10 mijë persona dhe arkivoli i tij kushtoi 2 mijë dollarë që me kursin e sotëm vlen 40 mijë dollarë. Varri i tij ndodhet dhe në gurin e varrit është shkruar me gërma kapitale: “MY JESUS MERCY”! (Mëshirë Jezusi im).