Transmetuar më 27-05-2020, 14:29

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot Heroin e Popullit Vasil Laçi, pas vdekjes, me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Atdhetarit antifashist, që me aktin e tij heroik dhe vetëflijues u tregoi të gjithë shqiptarëve e veçanërisht rinisë, se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencës së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmërisë edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”.

Vlerësimi i kreut të shtetit u bë me rastin e 79-vjetorit të vdekjes.

Në fjalën e rastit Meta tha se një djalosh nëntëmbëdhjetë vjeçar, i shtyrë vetëm nga liria dhe atdhedashuria kreu një akt heroik e vetëflijues që do mbetej në historinë e popullit shqiptar si simbol i qëndresës dhe i rezistencës ndaj pushtimit dhe tiranisë.

“I veshur me kostum kombëtar shqiptar ai i tregoi pushtuesve, kuislingëve vendas dhe mbarë botës se populli ynë nuk i nënshtrohet kurrë asnjë armiku, të jashtëm apo të brendshëm. Se liria është gjëja më e çmuar për ne! Se ajo mbrohet me çdo akt e sakrificë. Vasil Laçi nuk ishte i shtyrë nga ideologjitë e kohës. Por, diçka tjetër shumë më e madhe dhe më e fortë e shtyu Vasilin të kryente atë akt patriotik. Ky ishte vetëm ideali dhe ndjenjat e krenarisë kombëtare. ‘E bëra për Shqipërinë!’ tha ai gjatë torturave dhe përpara ekzekutimit”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se madhështia e vërtetë e gjestit të tij është se ai u mëson brezave se çdo individ i thjeshtë mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdo lloj tiranie dhe se ne një zjarr patriotizmi në zemrën e një njeriu të thjeshtë mund të sjellë një dritë të madhe në terrin e shtypjes, pushtimit dhe sundimit të një populli.

“Një shqiptar zemërluan tronditi një nga perandoritë më të mëdha të kohës. Vasil Laçi mbetet hero edhe i ditëve të sotme. Duke i kujtuar brezave se liria nuk dhurohet por fitohet. Se çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual por edhe kombëtar.

Një popull që harron të kaluarën nuk e gjen dot rrugën për të ardhmen e tij për liri”, deklaroi Presidenti.

Sipas kreut të shtetit, një liri, që nuk u fitua një herë e përgjithmonë dhe që nuk mund kurrë të jetë e tillë, por që duhet ruajtur dita-ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie, ndaj çdo regjimi të çdo kohe që shtyp lirinë e fjalës, të mendimit, dhe të drejtave themeltare për të jetuar një jetë të denjë, sovrane dhe me integritet.

“Populli shqiptar është një popull i pasur pasi ka në gjirin e vet të rinj e të reja, punëtorë dhe intelektualë, njerëz të zakonshëm të cilët e duan Shqipërinë dhe do përballen gjithnjë kundër çdo tiranie, madje njerëzit e thjeshtë japin shembujt më të mirë kur elitat korruptohen me tiranitë vendase apo të huaja”, deklaroi Meta.

Ai tha se ne nderojmë e krenohemi me të gjithë heronjtë tanë, por edhe me njerëzit e thjeshtë të mrekullueshëm, trima e patriotë që ka Shqipëria, të cilët në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të tyre nuk do lejojnë kurrë të shtypen e dhunohen më nga asnjë tirani.

“Falë kësaj dashurie për lirinë, shqiptarët nuk do kthehen më kurrë në diktaturë, dhe i madh e i vogël në këtë vend nuk do lejojë instalimin e asnjë regjimi tiranik dhe anti-kombëtar, por ata do ecin përpara krenarë dhe me dinjitet drejtë së ardhmes demokratike dhe evropiane të vendit, një ëndërr lirie e heroit tonë Vasil Laçi, një ëndërr e çdo të riu shqiptar edhe sot e përgjithmonë”, deklaroi në mbyllje kreu i shtetit.