Transmetuar më 27-05-2020, 21:41

Në daljen e tij të fundit publike për koronavirusin, kryeministri Edi Rama njoftoi këtë mbrëmje se disa aktivitete do të vijojnë të jenë të mbyllura edhe pas kësaj jave.

Rama tha se pas kësaj jave hapet gjithçka përveç aktiviteteve kulturore, sportive, dasmave dhe funeraleve.

Kryeministri gjithashtu tha se transporti publik nuk do të hapet menjëherë, por duhet të presë edhe pak.

”Kjo është java e fundit e masave kufizuese. Me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive, ku do mungojnë spektatorët, dasmave e funeraleve ku nuk do të mblidhen qindra njerëz, transporti publik i mbyllur edhe për pak, si dhe plazhet që do kenë një kornizë sigurie.”- tha Rama.

Rama u shpreh për qytetarët që rrezikun e infeksionit të mos e përqeshin.

"Shani e shfryni sa të doni, por rrezikun e infeksionit mos e përqeshni. Pasi përballuam më të keqen dhe largqoftë mos mbyllemi prej atyre që duke refuzuar ta pranojnë ekzistencën e rrezikut mund të hapen si vaji në lakra. Kjo fazë ku kemi hyrë është shumë delikate. Mund ta harrojmë se virusi as ka ikur as është mundur", tha Rama./noa.al/