Transmetuar më 28-05-2020, 15:38

Policia e Tiranës del me deklaratë lidhur me sekuestron e vendosur për një për një llogari banke në shumën 400 mijë dollarë, të një biznesmeni.

Konfirmohet se bllokimi i llogarisë u bë pasi, shuma e parave dyshohet se është produkt i aktivitetit kriminal.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në Policinë e Tiranës kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurori, e cila regjistroi procedimin penal për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.

Në zbatim të këtij procedimi, në bashkëpunim me Prokurorinë, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në funksion të procedimit penal të vitit 2020 dhe vendimit të sekuestrimit datë 26 maj 2020, u bë sekuestrimi i llogarisë bankare në shumën 400 mijë dollarë, në emër të  Aleksandër Gavocit.

Biznesmeni rezulton, administrator i një shoqërie SHPK, ndërsa sekuestroja u bë për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare” .

Policia sqaron se vendoja e sekuestros preventive, u bë pas tentativës së bërë nga biznesmeni Aleksandër Gavocit, për transfertën e shumës jashtë vendit, në Australi, në llogari të vëllait të tij, I.Gavoci.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera dhe bashkëpunëtorët në këtë aktivitet kriminal. /a.y/noa.al

Tiranë, biznesmenit i bllokohet llogaria me 400 mijë dollarë