Transmetuar më 28-05-2020, 19:12

37-vjeçari Ergust Dumitru (Bubeqi) u arrestua një ditë më parë nga Policia e Vlorës, për llogari të drejtësisë italiane, i akuzuar për disa vepra penale.

37-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit Aquila, Itali, në vitin 2018, e ka dënuar me 9 vjet e 10 muaj burg, për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafik narkotikësh” dhe “Vjedhja me dhunë”.

Dumitru, akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shfrytëzuar për prostitucion disa vajza rumune, duke i detyruar ato përmes dhunës që të ushtronin prostitucion në qytetet Montesilvano, Città Sant’Angelo, Silvi dhe Pescara, gjatë periudhës janar-qershor 2007.

Në vitin 2018, policia në Peskara  në një operacion të titulluar “Carpe Diem”, drejtuar nga prokurori në Aquila, arrestuan 27 persona, mes të cilëve edhe Bubeqin. Ai u prangos si anëtar i një bande kriminale, brenda së cilës bënin pjesë së paku 60 njerëz, më së shumti shqiptarë dhe romë.

Mediat e vendit fqinj shkruanin në atë kohë se të arrestuarit kishin pakt me njëri-tjetrin për të mos shpërndarë informacione për veprimtarinë me të cilën merreshin.

Karabinierët lokalë, menjëherë pasi gjykata ka dhënë vendimin  “arrest me burg”, kanë nisur hetimet për Ergust Dimitru (Bubeqi). Ai mendohet se ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin, duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Përmes përdorimit të dokumenteve false ai u transferua në Belgjikë dhe më pas u kthye në Shqipëri, ku ndryshoi në mënyrë të ligjshme mbiemrin, duke marrë atë të gruas së tij rumune, që jeton në një zonë në Itali, të quajtur San Salvo.

Zyra e Prokurorisë në Aquila ndërtoi skemën e arratisjes së Bubeqit, deri në kapjen e tij në vendlindje, në Vlorë, nga policia shqiptare. /k.k/noa.al/