Transmetuar më 29-05-2020, 08:44

Koronavirusi ka rikthyer frikën në Korenë e Jugut, me 79 raste të reja infektimesh të raportuara mesditën e së enjtes, duke shënuar kështu numrin më të lartë që nga 5 prilli.

Qeveria ka reaguar menjëherë duke bllokuar kryeqytetin Seulin, qyteti me më shumë banorë, nga 52 milionë që ka i gjithë vendi.

Muzetë, parqet dhe galeritë e artit do të mbyllen sërish që nga kjo e premte, për dy javë.

Ky fakt u lajmërua nga ministri i Shëndetësisë, Park Neung-hoo, i cili tha se kompanitë e tjera detyrohen të marrin masa strikte dhe të praktikojnë punën fleksibël.

Banorëve të Seulit iu është këshilluar që të shmangin takimet apo shkuarjen në vende të populluara si baret dhe restorantet.

“Dy javët në vijim janë thelbësore, për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Nëse do të dështojmë, do të kthehemi në masat strikte të fillimit”, deklaroi ministri.

Deri më tani numri i viktimave në Korenë e Jugut ka shkuar në 269, ndërsa i të prekurve në 11.402. /a.y/noa.al