Transmetuar më 29-05-2020, 09:07
Momente nga arrestimi, granata dhe fisheket e gjetur

Qëllon me pistoletë drejt një banese, për tu kapur pak më vonë me granatë dhe një sërë municionesh.

Policia e Matit kanë marrë informacion se një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të portës së jashtme të rrethimit të banesës së shtetasit L. N., banues në njësinë Administrative Komsi, Mat.

Nga hetimet e kryera është bërë i mundur identifikimi në kohë reale i autorit të dyshuar dhe lokalizimi i vendndodhjes së tij.

Kështu u arrestua Sebastian Kola, 25 vjeç, banues në njësinë administrative Komsi, i cili për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të banesës së shtetasit L. N.

Gjatë kontrollit të banesës së Kolës, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar 320 fishekë dhe një granatë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 25-vjeçari, pasi kishte qëlluar me pistoletë në drejtim të portës së jashtme të murit rrethues të banesës së shtetasit L. N., e kishte hedhur armën e zjarrit në një rezervuar.

Polumbarët e RENEA-s do të vijojnë kontrollin në rezervuar, me qëllim gjetjen e armës.

Ndërkohë në ngarkim të tij, materialet iu referuan Prokurorisë së Matit, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishje e qetësisë publike”. /a.y/noa.al