Covid-19, si janë shpërndarë 23 infektimet e reja/ Situata e shtrimeve në spital
Transmetuar më 29-05-2020, 11:22

Në 24 orët e fundit u konfirmuan të infektuar me koronavirus 23 persona, nga 276 testime të kryera.

Prej tyre 12 janë në Tiranë, 8 kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe 4 raste të reja në proces hetimi.

Ndërkohë po 6 raste janë konfirmuar në Mat, kontakte të një paciente në QSUT dhe 4 raste në Lushnje, kontakte të rasteve pozitive të konfirmuar më herët në Tiranë dhe 1 rast i ri në Durrës.

Në spitalin Infektiv aktualisht po trajtohen 23 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive.

Në 24 orët e fundit janë të shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 851 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15.500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1099. Prej tyre, mbi 77% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 215 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 121; Durrës 42; Krujë 17; Shkodër 11; Kamëz 9; Mat 6; Lushnje 4; Berat 2; Fier 2 dhe Korçë 1. /a.y/noa.al

Loading...