Transmetuar më 29-05-2020, 19:59

Nga Edmond Arizaj

Domethënë o shoku Drejtor i Policisë, treçerekun e fëmijëve shqiptarë, ti duhet t’i marrësh me shpulla, sepse janë të keqedukuar, pasi prindërit e tyre kanë foto a video me armë?

Po kush mor burrë i dheut të ka dhënë dhe kompetencat e mësuesit të edukatës në familje?! Kush të bëri ty, prind mbi prindin? Kush të lejon të bësh publike video private të njerëzve, që nuk i ke akuzuar për asgjë?

Ku e gjen guximin të gjykosh mbi mënyrën e edukimit që dikush i jep fëmijës së vet?! A e di mor burrë se sa foto e video me armë qarkullojnë që nga ‘97?

A e di se sa vartës të tu policë kanë foto e video të tilla? A e di se ke edhe deputetë me foto të tilla? A e di se sa të burgosur kanë lënë “rrugëve” foto me armë? Çfarë, fëmijët e ketyre duhet t’i trajtojmë si kriminelë? Këto janë sugjerimet që jepni ju për policimin në komunitet? Dmth jeni ju frymëzuesi i keqsjelljes së policisë?!

Ti nuk i mbron policët me këtë mënyrë. I bën më shumë të etiketuar. Jo rrallëherë policët gjenden përballë kundërshtimeve, ofendimeve, dhunës madje, por kjo s’do të thotë që duhet të justifikohet me doemos tejkalimi i saj me adoleshentë që u lëvizin hormonet me 250 në orë.

Sepse pastaj s’kemi nevojë për t’i marrë policët nga shkolla, por nga getot. Minimumi kërko falje, që ke nxjerrë videon e asaj nënës së fëmijës 15 vjeçar. Maximumi nuk është në dorën tënde.