Koronavirusi, arrin në 6 milionë numri i të infektuarve nëpër botë
Transmetuar më 29-05-2020, 23:53

Përditësuar, 30 maj 2020, 01:30 – Në të gjithë botën numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit nga koronavirusi është 6.023.153 me një total viktimash prej 366.374. Në SHBA në 24 orët e fundit u regjistruan 1.195 viktima, shifër kjo që e rrit numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga infeksioni i koronavirusit në 104.525, që nga shpërthimi i pandemisë në vend. Aktualisht janë afro 1.8 milionë të infektuar në SHBA ose gati një e treta e totalit të gjithë botës.

Kurba e pandemisë së koronavirusit sa vjen e rritet në Brazil duke arritur në 27.923 të vdekur dhe mbi 466 mijë raste të konfirmuara në këtë vend me mbi 210 milionë banorë.

Rastet e reja të konfirmuar me koronavirus në Korenë e Jugut kanë kthyer sërish vendimin për mbylljen e shkollave. Mediat bëjnë me dije se më shumë se 200 shkolla në të gjithë Korenë e Jugut janë detyruar të kthehen në mësimdhënie në internet, vetëm disa ditë pas rihapjes. Ekspertët kanë theksuar se të gjitha rastet vijnë prej zonave të mbipopulluara me njerëz dhe ekziston rreziku i infektimit komunitar.

Në Gjermani është rritur numri i të infektuarve me Covid-19. Janë regjistruar 24 orët e fundit 567 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në mbi 183 mijë. Autoritetet shëndetësore njoftuan se 24 pacientë tjerë kanë vdekur si pasojë e efekteve të sëmundjes, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 8,594. Numri i rasteve të reja me COVID-19 është pothuajse dyfish më i lartë, krahasuar me shifrat e ditëve të fundit, ndërsa numri i vdekjeve mbetet afërsisht në të njëjtin nivel.

Britania e Madhe ndërkaq pritet të zbatojë masa lokale dhe jo më kombëtare për mospërhapjen e koronavirusit. Një sistem i ri gjurmimi nisi zbatimin në rajonet e Anglisë dhe Skocisë për të identifikuar dhe testuar në masë personat me simptoma të Covid-19. Kërkesa për testim mund të bëhet vullnetarisht nga interneti ose me një numër telefoni. 25 mijë specialistë të shërbimit shëndetësor do të shpërndahen në të gjithë vendin me këtë mision, për të ndalur shpërndarjen e një infeksioni që ka prekur më shumë se 270 mijë dhe ka vrarë mbi 38 mijë njerëz në vend.

Loading...