Transmetuar më 30-05-2020, 01:13

Patrulla Shtetërore në Minnesota arrestoi të premten ekipin televiziv CNN ndërsa po raportonin për protestat e dhunshme në Minneapolis pas vdekjes së George Floyd, si pasojë e brutalitetit policor.

CNN me qendër në Atlanta tha se ekipi i tij, i cili përfshinte reporterin e CNN Omar Jimenez, u la i lirë të premten në mëngjes.

Ndërsa ishte në transmetim të drejtpërdrejtë, Jimenez u prangos dhe u ndalua, ndërsa edhe producenti dhe fotoreporteri i CNN gjithashtu u prangos.

Ekipi i komunikimit të CNN më herët u shpreh në Twitter se ekipi i tyre u arrestua "për kryerjen e punëve të tyre, pavarësisht se ishin identifikuar vetë, që paraqet një shkelje të qartë të drejtave të tyre".

Patrulla e Shtetit e Minnesotas u prononcua në Twitter se gazetarët ishin në mesin e katër personave të arrestuar pasi forcat ishin "duke pastruar rrugët dhe duke rivendosur rendin". Patrulla tha se ata "u lanë të lirë pasi u konfirmuan se ishin anëtarë të mediave".

Të enjten vonë në Minneapolis, gjatë protestave të dhunshme iu vu flaka një stacioni policie. Departamenti i Policisë në Minneapolis evakuoi rajonin e 3-të dhe stafin e saj, ndërkaq demonstratat kanë shpërthyer në disa qytete të SHBA-së.

CNN njihet si rrjet televiziv kritik ndaj Presidentit Donald Trump dhe ky i fundit shumë herë e ka cilësuar si tv që përhap fake news.