Transmetuar më 30-05-2020, 11:23

Aktualisht të shtruar në spitalin Infektiv janë 26 pacientë me koronavirus, nga të cilët 4 janë në terapi intensive.

Njëri prej tyre është i intubuar në gjendje të rëndë.

Ky fakt u bë me dije në raportin e 24 orëve të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku në 24 orët e fundit u konfirmuan 23 raste të reja.

Prej tyre 16 janë në Tiranë, 2 në Mat, 2 në Lushnje, 1 në Durrës, 1 në Krujë dhe 1 në Librazhd.

Nga të infektuarit e fundit 19 janë kontakte të të të prekurve të mëparshëm dhe për 4 të tjerët po kryhet hetimi epidemiologjik.

Në 24 orët e fundit janë testuar 21 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitive 2 raste.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 6 qytetarë, duke e çuar në 857 numrin e të shëruarve.

Që nga fillimi i epidemisë janë 1122 raste të konfirmuara, prej të cilëve aktualisht janë 232 persona aktivë me Covid-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 137; Durrës 39; Krujë 16; Shkodër 11; Kamëz 9; Mat 8; Lushnje 6; Berat 2; Fier 2; Korçë 1 dhe Librazhd 1.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer rreth 16 mijë testime molekulare dhe serologjike.

Vijojnë testimet serologjike tek personeli shëndetësor. Deri tani janë mbi 1450 të testuar me një përqindje të përgjithshme pozitiviteti rreth 9%./a.y/noa.al