Transmetuar më 30-05-2020, 13:38

“Asnjë lëshim Rilindjes për vjedhjen e zgjedhjeve!” Është ky paralajmërimi që jep nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, pak orë pas mbledhjes së Këshillit Politik të reformës zgjedhore, ku ai bën pjesë.

Vasili thotë se refuzimi nga Rilindja i propozimit të Opozitës së Bashkuar, i cili garanton votën e lirë, eviton mbushjen e kutive të votimit si dhe barazi të plotë të të dyja palëve në administrimin zgjedhor, është fundi i reformës.

Sipas tij, ulja kritike e nivelit të garancive dhe synimi i kapjes e manipulimit të zgjedhjeve nga qeveria përmes propozimit të Partisë Socialiste rrëzon të gjithë procesin e reformës dhe e bën praktikisht nul atë.

“Ky refuzim ka synim të ligjërojë manipulimin e zgjedhjeve të Dibrës në 2016, të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe të turpit të votimeve moniste të 2019-ës dhe ripërsëritjen e tyre edhe në të ardhmen. Reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj kusht themelore për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, shkruan Vasili.

Nënkryetari i LSI shton se Rilindja e ka penguar qëllimisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka hapje të negociatave.

Ai e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se “Ka vetëm një përgjegjës për bllokimin e hapjes së negociatave, ky është Edi Rama”.

Afati fundor për të përmbyllur reformën zgjedhore është 31 maji, datë e caktuar si afat nga vetë përfaqësuesit e politikës. /a.y/noa.al

Një ditë para përfundimit të afatit, Këshilli Politik mblidhet në 17.00 për reformën zgjedhore