Transmetuar më 30-05-2020, 23:55

Policia e Shtetit dha sonte një komunikatë mbi ngjarjen e rëndë me një të vdekur dhe dy të plagosur që ndodhi gjatë mbrëmjes në mjediset e jashtme të një hoteli.

Në informacionin zyrtar thuhet se sonte më datë 30.05.2020, rreth orës 22:17, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, në ambjentin e jashtëm të një hoteli, në rrethana ende të paqarta ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Bujar H., 37 vjeç dhe janë plagosur shtetasit Paulin Gjergji, 53 vjeç dhe K. Tusha, 21 vjeç, të cilët janë transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisatiatit të Policisë Kurbin dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Për zbardhjen e rrethanave të krimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë nga Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gyqësor Kurbin, vijon puna për administrimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes.

Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar edhe dy grupe të FNSH-së Shkodër dhe vijon krehja e zonës dhe shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.