Transmetuar më 31-05-2020, 00:49

Një paciente 80-vjeçare e infektuar me COVID-19 dhe e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së enjte, ndërkohë që ministria e Shëndetësisë ka mbajtur të fshehur rastin, raportojnë mediat në Tiranë.

Sipas komunikatës së bërë nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë përditësimit të të fundit thuhet se janë 23 raste të reja me Covid, prej tyre 2 punonjës personel mjekësor, por nuk përmendet asnjë rast vdekjeje nga Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, dhe as transferimi i një prej pacientëve në shërbimin Infektiv.

Burime nga Sanatoriumi bëjnë me dije se, 80-vjeçarja ka qenë shtruar për një periudhë të gjatë në shërbimin e sëmundjeve interne dhe ka dalë nga ky spital 10 ditë më parë.

Por, një javë më pas gruaja është rikthyer sërish për të njëjtën sëmundje të diagnostikuar më herët; fibrozë në mushkëri, këtë herë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pas rikthimit në normalitet. Gjendja shëndetësore e 80-vjeçares ka qenë tejet e rënduar dhe pas 24 orëve ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e të enjtes.

Askush nga mjekët nuk ka qenë në dijeni se gruaja vuante edhe nga Covid-19, derisa analiza e tamponit doli pozitive. Ndërkohë, rasti i dytë i zbuluar me Sars Cov2 në të njëjtin spital, një pacient i shtruar në pavion, është transferuar mbrëmjen e djeshme në Spitalin Infektiv.

Gjatë këtyre muajve të pandemisër u raportuan në media edhe pesë persona të vdekur pas infektimit me koronavirus. Në të gjitha rastet ministria e Shëndetësisë nuk i raportoi ngjarjet dhe pas publikimeve në media tha se ata ishin bartës, pra pozitivë me COVID-19, por vdiqën nga sëmundje të tjera.