Transmetuar më 31-05-2020, 02:09

FIA ka arritur të riformulojë kalendarin e Formula 1 për 2020, me emrat e pistave dhe oraret e mundshme ku do të zhvillohen garat.

Pas shumë anulimeve e shtyrjeve të disa garave, për shkak të pandemisë Covid-19, FIA ka menduar ta mbyllë këtë botëror dhe të shpallë kampionët e vet.

Eshtë menduar të zhvillohen 7 gara, nga korriku deri në nëntor. Starti i sezonit do të bëhet në Imola, në cirkuitin Enzo e Dino Ferrari, ku makinat njëvendëshe do të zbresin në fundjavën e 4-5 korrikut.

Më pas makinat do të zhvendosen në Spanjë, në cirkuitin e Barcelonës, ku, dy javë më vonë do të zhvillohet gara.

Pista e Portimao, në Portugali, do të jetë vendi ku do të zhvillohet gara e tretë e programuar në 1-2 gusht, para asaj që do të bëhet në Mugello, nga 28-30 të të njëjtit muaj.

Gara në Spa do të bëhet në 11-13 shtator. Rikthimi në Itali, në cirkuitin e Misanos do të bëhet në 26- 27 shtator. Kjo do të mbyllë konkurrencën e pilotëve në Evropë, para finales së botërorit, e konfirmuar kjo, me garën e Abu Dhabi nga 4-7 nëntor.

Për të siguruar shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve, është hartuar një protokoll sigurie, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pa tifozë.

E ndaluar do të jetë hyrja edhe për median. FIA po punon ende dhe është në bisedime me autoritetet lokale, për të ndjekur të gjitha masat e sigurisë, në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen normalisht.