Transmetuar më 31-05-2020, 11:14

Ministria e Shëndetësisë pranoi sot se një grua në moshë të thyer ka humbur jetën në Tiranë pasi ishte infektuar nga koronavirusi. Lajmi u publikua mbrëmë në noa.al e cila citoi burime nga Sanatoriumi se një grua rreth 80 vjeçe vdiq pasi rezultoi e infektuar.

Ministria e Shëndetësisë tha sot se po heton nëse vdekja e të ndjerës erdhi për shkak të infektimit.  Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, tha: "Në lidhje me vdekjen e një 82 vjeçareje në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, informoj se ajo vuante nga Fibroza pulmonare, stadi i fundit, insuficienca kardiake, fibrilacion atrial, diabet mellitus dhe HTA. Me gjithë ndihmën e dhënë, 82 vjeçarja ka jetuar vetëm disa orë. Analiza për koronavirus ka rezultuar pozitive pas vdekjes. Por shkaku i vdekjes, nëse ka qënë koronavirusi përgjegjegjës, po analizohet nga stafi mjekësor i spitalit ”Shefqet Ndroqi”, tha Qirjako.

Aktualisht është rritur numri i të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po trajtohen 31 të prekur, nga të cilët 4 janë në terapi intensive, njëri prej të cilëve është i intubuar.

Gjatë këtyre muajve të pandemisë u raportuan në media edhe pesë persona të vdekur pas infektimit me koronavirus. Në të gjitha rastet ministria e Shëndetësisë nuk i raportoi ngjarjet dhe pas publikimeve në media tha se ata ishin bartës, pra pozitivë me COVID-19, por vdiqën nga sëmundje të tjera.