Koronavirusi, rritet ndjeshëm numri i të shtruarve në Spitalin Infektiv
Transmetuar më 31-05-2020, 11:41

Javën e kaluar dhe ditët e para të kësaj jave që po mbyllet, në spitalin Infektiv ishin mesatarisht 15 pacientë të infektuar, të shtruar në reanimacion dhe repartet e tjera.

Ditën e sotme ky numër është dyfishuar. Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se aktualisht janë 31 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, detajoi: "Është rritur numri i të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po trajtohen 31 të prekur, nga të cilët 4 janë në terapi intensive, njëri prej të cilëve është i intubuar".

Vetëm në 24 orët e fundit janë pesë persona të shtruar me urgjencë për shkak të simptomave serioze të virusit Covid-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 15 raste pozitive. Shpërndarja e rasteve të reja pozitive është si vijon: 11 raste në Tiranë, 3 në Krujë, dhe 1 rast në Kamëz.

Nga totali i të prekurve të identifikuar në 24 orët e fundit, 11 janë kontakte të rasteve të mëparshme të konfirmuara pozitive, ndërsa për 4 raste po vazhdon hetimi epidemiologjik.

Në 24 orët e fundit janë testuar 35 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitive 2 raste.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke e çuar në 872 numrin e të shëruarve.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1136 raste të konfirmuara, prej të cilëve aktualisht janë 232 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Loading...