Transmetuar më 31-05-2020, 20:29

Një grup protestuesish të dhunshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë sulmuar me gurë dhe me shqelma pronarin e një dyqani, i cili raportohet se po mundohej ta mbronte pronën e tij me një shpatë.

Pavarësisht sulmit brutal, mësohet se personi i sulmuar është në gjendje të qendrueshme, ndonëse u sulmua nga një turmë njerëzish në të njëjtën kohë dhe u pa i gjakosur në një rrugë të Dallasit, shkruan “Daily Mail”.

Në një video të publikuar në internet shihet se si pronari i dyqanit mban në dorë një mjet të mprehtë dhe se si niset drejt disa protestuesve.

Sidoqoftë, pas disa sekondash, disa protestues nisin ta gjuajnë me gurë dhe më pas ta godasin me grushte e shqelma, derisa ai rrëzohet në tokë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në kaos pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd.

Një ndër katër policët e përfshirë në arrestimin e George Floyd, i cili vdiq pas të hënën në Minesota, është vënë në pranga dhe akuzohet për vrasje.

Oficeri Derek Chauvin është polici që shihet në videon e xhiruar nga një kalimtar, duke mbajtur gjurin në qafën e viktimës, ndërkohë që George Floyd dëgjohet duke u ankuar se nuk merr dot frymë.

Videoja vazhdon mbi pesë minuta, kur George Floyd është i shtrirë përtokë dhe oficeri Derek Chauvin vazhdon ta mbajë nën kontroll me gjurin në qafë derisa i mori jetën./noa.al/