Transmetuar më 01-06-2020, 11:05

Nga 102 testime të kryera tek persona të dyshuar me koronavirus, 6 prej tyre kanë rezultuar pozitiv në 24 orët e fundit.

Prej tyre katër në Tiranë, njëri personel shëndetësor, një në Durrës dhe një në Mat.

Të infektuarit e rinj, janë kontakte të rasteve të mëparshme dhe të reja.

Aktualisht po trajtohen 28 të prekur në spitalin infektiv, nga të cilët 3 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 5 qytetarë, duke e çuar në 877 numrin e të shëruarve.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1143 rast e të konfirmuara. Aktualisht janë 233 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 147; Durrës 28; Krujë 17; Shkodër 10; Kamëz 10; Mat 9; Lushnje 6; Berat 2; Fier 2; Korçë 1 dhe Librazhd 1.

Nga sot do të fillojë lehtësimi më i madh i masave që nga fillimi i epidemisë, me heqjen e të gjitha kufizimeve të lëvizjes, me hapjen e kufinjve tokësorë dhe një seri aktivitetesh të tjera.

Do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet dhe grumbullimet masive që konsiderohen me risk të larte për përhapjen e Covid19.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, dhe të mos e ulin vigjilencën. Është në dorën e qytetarëve që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, deklaroi specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini.

COVID-19 – Statistika 1 Qershor 2020

Testime totale 16277

Testime molekulare 14825

Testime serologjike 1452

Raste pozitive 1143

Raste të shëruara 877

Raste Aktive 233

Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)