Transmetuar më 02-06-2020, 01:26

Parashikimet e Bankës Botërore për ekonominë tregojnë për përkeqësim të situatës në vendin tonë. Shqipëria do të kthehet 15 vjet mbrapa, duke përhapur varfërinë tek gati gjysma e popullsisë. Banka Botërore thotë se goditjen më të madhe në vend do ta marrin qytetet dhe shtresa e mesme, pasi varfëria pritet të shkojë rreth 48% duke arritur në nivelet e deri vitit 2005.

Banka Botërore parashikon gjithashtu se gati një e treta e të punësuarve në Shqipëri, të cilët janë të vetëpunësuar, rrezikojnë të humbasin biznesin dhe të ardhurat e tyre.

Për shkak se qeveria nuk mori masat e duhura dhe lejoi që kriza ekonomike të shndërrohej në epidemi të papunësisë, Banka Botërore paralajmëron edhe rënien e të ardhurave për familjet shqiptare me rreth 12%.

Kategoria më e prekur nga braktisja e shtetit janë të rinjtë, të cilët shikohen si potencial për emigrim të paligjshëm në vendet e zhvilluara europiane.

Për opozitën, në 7 vite Shqipëria është bërë një vend më i varfër, më i korruptuar, me taksat më të larta në rajon. Investimet e huaja, punësimi dhe zhvillimi ekonomik nuk janë prioritet i qeverisë, ndërsa qytetarët po vuajtur gjithnjë e më shumë pasojat e krizës ekonomike.

Jorida Tabaku nga Partia Demokratike thotë se lënia e qytetarëve në mëshirë të fatit nga Edi Rama tregohet fare qartë nga paketat që ajo vuri në dispozicion për ekonominë.

Duke qenë se paratë me të cilat duhet të siguronte vendet e punës dhe të ruante të ardhura të vazhdueshme për qytetarët, Edi Rama i çoi tek një grusht oligarkësh dhe për tendera luksi, Shqipëria është vendi me ndihmën më të vogël ekonomike në rajon. Tani që flasim, 3 muaj pas shpërthimit të pandemisë, as kjo ndihmë qesharake nuk është shpërndarë plotësisht, – shton Tabaku.

Ajo parashikon se e ardhmja për shtresën e mesme në Shqipëri, që për 7 vjet u masakrua nga taksat e Ramës, është gjithnjë e më e zymtë. Profesionistët e lirë, shtresa e mesme rrezikon të shndërrohet edhe më e varfër si pasojë e taksave të larta dhe krizës ekonomike. Edi Rama edhe në kohë krize përdori pandeminë për të shpërndarë qokat tek 4-5 oligarkë.

Sipas Tabakut, ka vetëm një rrugë për të rikthyer shpresën – të largohet Rama përmes zgjedhjes dhe votës së lirë.