Transmetuar më 03-06-2020, 09:56

Ndonëse sot mund të jetë dita e fundit e tij si kryeministër, Albin Kurti thotë se po ndjehet shumë mirë.

Në një prononcim të shkurtër për Klan Kosovën, teksa po dilte nga banesa e tij, Kurti tha se po shkon në mbledhjen e qeverisë ku do të merren disa vendime të rëndësishme.

“Shumë mirë. Në ora 10:00 kemi një mbledhje të qeverisë ku do të marrim disa vendime të rëndësishme. Vendimi i parë që do ta nënshkruaj tash menjëherë është ai për ndihmën nga 30,000 euro dy familjeve të minatorëve që humbën jetën fatkeqësisht në Minierën e Artanës”, tha ai.

Kurti nuk ka treguar nëse pret që Kosova të ketë qeveri të re sot, ndërsa ka vazhduar drejt ndërtesës së Qeverisë për mbledhjen, që mund të jetë e fundit, e drejtuar nga ai.

Ky reagim i tij vjen orë para fillimit të seancës së Kuvendit ku pritet të votohet Qeveria e Abdullah Hotit.