Kufiri me Kosovën, Ministria e Jashtme sqaron kush duhet të izolohet për 7 ditë
Transmetuar më 03-06-2020, 10:55

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon lidhur me situatën në kufi me Kosovën, pas hapjes.

Qysh pas ditës së djeshme, datë 2 qershor 2020 nga konsultimet e njëpasnjëshme dhe të pandërprera të autoriteteve shqiptare me ato të Republikës së Kosovës, është lejuar qarkullimi normal i automjeteve në pikën e kalimit kufitar Morinë-Vërmicë.

MEPJ, informon se, të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të hyjnë në Republikën e Kosovës, dhe e kanë të kryer testin COVID-19, jo më vonë se katër ditë nga dita e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, nuk janë të detyruar të qëndrojnë në vetë izolim.

Në rastet kur testi nuk është kryer nga shtetasit të cilët duan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ata do të duhet të nënshkruajnë deklaratën për vetë izolimin për një periudhë prej 7 ditësh.

Gjithashtu, bëhet me dije, për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, shtetasit e huaj që nuk kanë test të COVID-19 duhet të kenë dëshmi të ligjshme për vendqëndrimin e tyre në Kosovë (leje qëndrimi dhe kontratë qiraje, si dhe dëshmi të tjera të pranueshme).

Kjo procedurë është e nevojshme, në mënyrë që të sigurohet se ata do të respektojnë masën e vetë izolimit. Në rast se shtetasit nuk paraqesin dëshmi të vendqëndrimit ku do ta kryejnë vetë izolimin, nuk do të lejohen të hyjnë në Republikën e Kosovës.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm studentët të cilët do të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, për nënshtrim të provimeve, por me kusht që të kthehen në shtetet e tyre brenda së njëjtës ditë. Hyrja bëhet duke dëshmuar identitetin studentor me një dokument të vlefshëm të lëshuar nga Institucioni përkatës arsimor në Republikën e Kosovës.

“Po ashtu, ju informojmë se, në rast se ekipi mjekësor, i cili ndodhet në pikat e kalimit kufitar, vlerëson se personat që duan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, kanë simptoma të COVID19, këta të fundit do të japin udhëzimet e duhura se si shtetasit duhet të veprojnë. Të gjithë shtetasit që kanë për qëllim kalimin transit në Republikën e Kosovës, përjashtohen nga këto rregulla”, njofton MEPJ.

Loading...