Transmetuar më 25-06-2020, 19:38

Shifrat në rënie të theksuar në vende ku shpërthimi ishte në përmasa të frikshme, po shton gjithnjë e më shumë shpresat se koronavirusi i ri Sars Cov-2 i njohur dhe si COVID-19, po vdes pas një periudhe disamujore intensiteti, ashtu siç ndodhi më 2004 me koronavirusin tjetër, Sars.

Tregues për këtë, janë shifrat që po regjistrohen prej disa javësh në Itali. Sipas të dhëmave ditore që publikojnë autoritetet shëndetësore, çdo ditë po kryhen mbi 50 mijë deri në 80 mijë tamponë dhe disa qindra rezultojnë pozitivë me COVID-19.

24 orët e kaluara janë kryer 56 mijë tamponë në të gjithë vendin. Prej tyre, vetëm 296 njerëz kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Këto shifra sugjerojnë se në Itali është duke marrë fund periudha pandemike Covid-19, pasi ky vend ishte për disa muaj rresht më i godituri nga infeksioni i rrezikshëm.

Që nga nisja më 21 shkurt e pandemisë, në Itali janë evidentuar 239.706 të infektuar. Prej tyre 34.678 kanë humbur jetën, 34 në 24 orët e fundit.

Deri sot janë shëruar 186.725 njerëz. Aktualisht 18.303 persona pozitivë, ndër të cilët 103, në gjendje kritike.

Reduktimi i ndjeshëm i të infektuarve në Itali, vjen ndërsa vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, po përballen me rritje shqetësuese të të infektuarve dhe vdekjeve, pasi për të paktën tre muaj aplikuan karantinë ekstreme që bëri të mos ekspozohen ndaj virusit, pjesa më e madhe e popullsisë. /noa.al/