Transmetuar më 25-06-2020, 21:12

OPINION nga Bora Mema

Dje minatori 56-vjeçar Basri Xhafa humbi jetën në një nga minierat e kromit të Martaneshit. Më 21 qershor një 47-vjeçar dhe një 59-vjeçar u aksidentuan duke rënë nga ndërtesa ku punonin. Më 19 qershor, në autostradën Tiranë-Durrës është gjetur pa shenja jete një 58-vjeçar, punonjës i një kompanie sigurie. Po atë ditë u njoftua edhe vdekja e një punëtori 45-vjeçar të prodhimit të tubacioneve. Më 11 qershor një tjetër punëtor vdiq i goditur nga një kamion gjatë punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit. Në më pak se dy javë kemi katër të vdekur dhe dy të plagosur në vendin e punës. Ky është bilanc lufte!

Policia dhe organet hetimore vazhdojnë të mos dinë gjë për shkaqet dhe shkaktarët e tyre.

Lufta e punëtorisë për mbijetesë është e para luftë në historinë e njerëzimit në të cilën dihen viktimat, por nuk dihet vrasësi. Deri më sot janë me qindra punëtorët e rënë në vendin e punës për të cilët nuk është bërë drejtësi. Në të shumtën e rasteve institucionet shtetërore kanë shpallur “fajtorë” vetë viktimat. E vërteta duhet thënë troç: për çdo punëtor që vdes në vendin e punës nga mosinvestimi në kushtet e sigurisë në punë, përgjegjës është pronari i tij, me bashkëpunimin e organeve shtetërore që nuk kryejnë detyrën e inspektimit të kushteve të punës.

U kërkojmë organeve hetimore të zbatojnë ligjin dhe të nxjerrin përpara gjyqit çdo përgjegjës dhe përfitues nga gjaku i punëtorëve. Familjeve dhe të afërmve të punëtorëve u shprehim ngushëllimet më të ndjera për humbjen e të afërmve të tyre. Ndërsa punëtorëve u bëjmë thirrje që të organizohemi së bashku për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe dinjitetin në punë përballë përbindëshave që nuk njohin tjetër parim përpos fitimit.

Jeta përpara fitimit!