Transmetuar më 25-06-2020, 23:37

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ndërprerë itinerarin e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e njoftoi Presidenca: "Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".

Ndërkohë, z.Thaçi, po hesht. Ndërsa anuloi takimin e tij në SHBA, mbetet ende për t’u konfirmuar se kur dhe si do të kthehet ai në Kosovë. Zyra e tij të mërkurën tha se Thaçi do të kthehej në Prishtinë të enjten, pa specifikuar vendndodhjen e tij. Por mësohet se z.Thaçi nuk erdhi në Kosovë. Mësohet se ai ndodhet në Austri, por nuk ka të dhëna sa do të qëndrojë atje.

Nga ana tjetër, prokurori Smith i Prokurorisë Speciale me seli në Hagë, sipas ligjit për këtë prokurori, ka të drejtë ta arresojë Thaçin, por vetëm pasi një gjyqtar i procedurës paraprake të konfirmojë aktakuzën e paraqitur në prill nga ana e prokurorisë.

Kjo mund të ndodhë nesër (e premte) por mund të ndodhë dhe deri në tetor, sepse gjyqtari i procedurës paraprake ka gjashtë muaj kohë nga data 24 prill, që është data kur u dorëzua aktakuza, për ta konfirmuar, refuzuar apo për të kërkuar ndryshime të saj.

Aktakuza, e ngritur në ditëlindjen e 52-të të Thaçit, më 24 prill, por e publikuar vetëm dje, pretendon se ai dhe të tjerë janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e tjera të pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës, dhe përfshijnë edhe kundërshtarë politikë shqiptarë të Kosovës.

Krimet kundër njerëzimit i referohen krimeve të kryera në kontekstin e sulmeve të përhapura ose sistematike kundër civilëve ose pjesëve të identifikueshme të popullatës civile, dhe mund të kryhen në kohë paqeje, jo vetëm gjatë konflikteve, siç ndodh me krimet e luftës.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë të akuzuar janë penalisht përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës, si edhe përfshijnë edhe kundërshtarë politikë. Ato përfshijnë gjithashtu zhdukjen me forcë të personave, persekutim dhe tortura.

Ajo që habit në deklaratën e Prokurorisë Speciale është se është e mbushur me deklarime emocionale dhe politike.

Sakaq, në faqen e tij në Facebook, z.Thaçi ka vendosur një foto me stemën e UÇK. Ajo u pasua me mbi 2500 komente të ndjekësve, mes të cilave dhe këto foto të luftës që shihni në galeri. /noa.al/