Transmetuar më 26-06-2020, 08:47

Shtimi i rasteve me koronavirus në shtetin e Victoria në Australi, ka bërë që në rrjetin e supermarketeve Woolworths, të ketë emergjencë për letër higjienike dhe kartopecetë.

Kjo ka bërë që çdo klient të ndjekë një rregull fiks, ku nuk do të ketë mundësi të marrë më shumë se dy pako.

Deri më tani rrjeti i supermarketeve kishte vendosur limite vetëm në shtetin e Victoria, për letrën higjienike, kartopecetat, miellin, sheqerin, makaronat, mishin, qumështin, vezët dhe orizin.

Por tashmë rregulli do të shtrihet në të gjithë dyqanet australiane.

“Ky vendim vjen si masë për të ruajtur distancën e duhur në dyqane dhe për t’iu garantuar të gjithë klientëve produktet e dëshiruara”, deklaroi Claire Peters, përfaqësuese e Woolworths.

Nga ana tjetër ajo paralajmëroi se nuk ka emergjencë për këto produkte dhe se porositë janë të vazhdueshme.

Deri më tani nga Covid-19 në Australi, kanë gjetur vdekjen 104 persona dhe janë infektuar 7.595 të tjerë. /a.y/noa.al