Transmetuar më 26-06-2020, 23:48

Këngëtari dhe kompozitori i njohur Elton Deda u shpreh se muzikantët profesionistë dhe të mirë në Shqipëri po vijnë duke u pakësuar gjithnjë e më tepër.

Sipas artistit të mirënjohur, Shqipëria ka mundësi të prodhojë këngëtarë, dhe artistë të mirë, por  politikat dhe strategjitë nuk janë të duhurat, e si të tilla ato nuk lejojnë të zhvillohen më tej, deri në kapërcim, pse jo, edhe të kufijve.

A ka artistë të denjë sot Shqipëria?

"Mendoj që kemi pasur shumë dhe nga viti në vit fillojnë e pakësohen. Pjesa më e madhe e asaj që prodhohet nuk bën. Në çdo klub që shkojnë servilet e njëjta muzikë. Duhet ndryshuar mentaliteti, ka gjëra të reja në këtë botë, ka gjëra shumë të bukura, nuk është vetëm një model. Kemi gjetur model të keq, këngët që dëgjojmë në radio kanë të njëjtin beet, të njëjtin tekst, të njëjtën muzikë, si turke e përzier me otoman dhe kjo nuk është e mirë nëse do shohim civilizimin perëndimor", tha ndër të tjera Elton Deda, i ftuar në emisionin "Provokacja" të Mustafa Nanos.

Për artistin, duhet ndryshuar mentaliteti i muzikës që prodhohet dhe duhet parë drejt civilizimit perëndimor, duke prodhuar modele dhe gjëra të reja.

"Ëndrrat tona atë kohë ka qenë që të ishim “Deep Purple” të Shqipërisë apo “Led Zeppelin”, grupe me peshë. Nuk është se jam zhgënjyer, kemi ndjekur linjën tonë nuk kemi bërë shumë kompromis dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të marrim frytet e punës tonë", theksoi Deda.

Këngautori i njohur u shpreh se "në një moment artisti është edhe ëndërrimtar por bëhet edhe pragmatist. E mira është që idetë në çdo vend i vogël apo i madh, duhet ti thuash".

Ai bëri edhe një krahasim me tregun muzikor jashtë vendit.

"Në tregun jashtë ka disa parametra dhe të dhëna që nuk të lënë të gabosh plus që varet edhe nga lidhjet dhe mundësitë që ke për të pasur arritje. Unë kam jetuar në Neë York edhe është një xhungël e vërtetë. Takoja çdo ditë artistë që punonin kamerierë dhe punonin në punë të rëndomta, ditën punonin dhe natën bënin audicione", u shpreh Deda.

Lidhur me afirmim e disa këngëtarëve shqiptarë në botë, siç është Rita Ora, Dua Lipa etj, ai tha se edhe në Shqipëri ka talentë, por nuk kultivohen dhe nuk vlerësohen.

" Kemi nevojë të jemi në tokën  duhur sepse farën e kemi. Mjafton të tregoj eksperiencën time në “The Voice of  Albania” ku për 3 vjet kam parë çudira. Vajza dhe djem të rinj që këndonin shumë bukur ndaj thashë që e rëndësishme është se në çfarë toke do të mbillet kjo farë, çfarë zone të ujitet, si do kujdesen njerëzit dhe fatkeqësisht në Shqipëri jemi pak ngadalë në këtë pikë".

"Kjo nuk është ankesë por një realitet që duhet ta pranojmë të gjithë. Është një vend i vogël me mentalitet ballkanik. Këtu ekziston një treg pa lidhje që nuk zhvillohesh dot. Unë e konsideroj këtë pasojë si të ardhur zinxhir gjatë viteve që pas 90’, që nga politika, strategjitë e ndjekura për të ndihmuar artin. Artisti gjithmonë e do një sponsor sepse ka kosto. Në momentin që ka një politikë të shëndoshë, e cila krijon një strategji për artin, sigurisht që ka edhe art të mirë, duhet të ketë një strategji të mirë sepse ndryshe do përfundojmë kështu si kemi përfunduar", theksoi Elton Deda.

Sot sipas tij, gjendja është e mjerueshme.

"Ne kemi shumë pak këngë që kanë një poezi të mirë, shumica e atyre që qarkullojnë janë tepër vulgare. Është e frikshme sepse kur flasim për artin, flasim për formën më të lartë të estetikës njerëzore. Tregu i lirë nuk ka nevojë të frenohet, tregu i lirë rregullohet me ndërgjegjësimin edhe të muzikantëve edhe të politikave. Aktivitetet duhet të fillojnë nga morali, në fund të fundit ka shumë moral brenda, arti jep mesazhe përmes tij. Shumica e njerëzve janë të lodhur, të varfër dhe arti jep mesazhe për t’i pakësuar këto", u shpreh Elton Deda.

/NOA.al