Transmetuar më 27-06-2020, 15:12

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një problem serioz me Covid-19. Deklarata erdhi nga shefi i sëmundjeve infektive, në konferencën e parë të Task Forcës në 2 muajt e fundit, doktor Anthony Fauci, pasi 16 shtete amerikane raportuan shpërthime të reja të rasteve me koronavirusi.

“E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj është që ta bëjmë këtë së bashku. Në qoftë se më herët i kemi thënë qytetarëve të rrinë në shtëpi, tani po i themi që të bëjnë testime. Të infektuarit po infektojnë njerëz të tjerë. Ju keni përgjegjësi individuale për veten tuaj, por keni edhe përgjegjësi sociale sepse në qoftë se duam t’i japim fund transmetimit të virusit, duhet të kuptojmë se edhe ne jemi pjesë e këtij procesi. Ngadalësojmë përhapjen, ulim kurbën, shpëtojmë jetë”, u shpreh Fauci.

Teksa ekspertët e shëndetësisë theksojnë se duhet ende punë për të ngadalësuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Por në kundërshtim me këtë, zëvendëspresidenti Mike Pence vlerëson se është bërë mjaft progres në Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje. Megjithatë më shumë se 40 mijë raste të reja me Covid-19 u regjistruan në ditën e fundit në SHBA, e cila ishte dhe shifra më e lartë e raportuar deri në tani.

Që prej shpërthimit të pandemisë janë konfirmuar më shumë se 2,4 milionë të infektuar dhe më tepër se 125 mijë viktima, më shumë se çdo shtet tjetër i botës. Për autoritetet shëndetësore, adoleshentët janë një ndër shkaqet e kësaj rritjeje të nivelit të përhapjes dhe u kërkojnë atyre që të testohen pasi mund të jenë asimptomatikë.