Transmetuar më 30-06-2020, 09:32

Kryedemokrati Lulzim Basha reagon lidhur me konstatimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku thotë se raporti është një pasqyrë e situatës ekonomike dhe e korrupsionit që po gërryen ekonominë, po largon investitorët, po mbyll vende pune e varfëron shqiptarët.

“Me shqetësim mësova përfundimet e raportit të Indeksit të besimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë AMCHAM për vitin 2019, ku regjistrohet rënia më e madhe e ekonomisë në 8 vitet e fundit. Konkurrenca e padrejtë, performanca zhgënjyese e ekonomisë, klima e përgjithshme e keqe për biznesin, niveli i lartë i korrupsionit, ekonomia joformale, burokracia, niveli i lartë i taksave dhe vetë qeveria me politikat e saj klienteliste janë pengesat më të mëdha për të bërë biznes në Shqipëri”, shkruan Basha.

Ai thotë se i ka dëgjuar shqetësimet e përfaqësuesve të Dhomës Amerikane, dhomave të tjera të tregtisë dhe industrisë, të biznesit të vogël dhe se e di se biznesi ka nevojë urgjente për ndryshim të kësaj situate, për zgjidhje që garantojnë konkurrencë të ndershme, lehtësi fiskale dhe përmirësim të klimës së të bërit biznes.

“Bazuar mbi këto nevoja ne kemi hartuar një platformë ekonomike në të cilën parashikohet: Taksa e sheshtë 9%, eliminimi dhe thjeshtëzimi i lejeve dhe licencave, eliminimi dhe bashkimi i 18 taksave për të rimoduluar sistemin tonë fiskal. Njëkohësisht plani ynë parasheh dhe ristrukturimin e agjencive dhe institucioneve doganore, fiskale dhe të regjistrimeve. Më thjeshtë dhe më lehtë për të gjithë”, deklaron kryetari i PD.

Basha shton më tej se për të dhe Partinë Demokratike punësimi dhe zhvillimi ekonomik janë prioritetet kryesore dhe për ta arritur këtë ne do ta bëjmë Shqipërinë vend tërheqës për investimet e huaja, do të fuqizojmë biznesin vendas dhe do të reduktojmë hapësirat për abuzim dhe korrupsion që sot po i marrin frymën biznesit në Shqipëri. /a.y/noa.al