Transmetuar më 01-07-2020, 11:39

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Mix”, ka goditur një grup që shpërndante lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, në doza duke vënë në pranga një burrë dhe një grua.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë, kanabis sativa, si dhe llojeve të ndryshme të drogave sintetike, u bë finalizimi i operacionit, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i J. Q., 41 vjeç, i dënuar më parë dhe A. S., 37 vjeçe, të dy banues në Kombinat.

Në rrugën “Komuna e Parisit” mbrëmjen e së martës, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke ndaluar automjetin që drejtohej nga shtetasi J. Q., dhe kishte pasagjere shtetasen A. S.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasve të sipërpërmendur dhe gjatë kontrollit të banesës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar droga të llojeve të ndryshme si kanabis sativa, kokainë, metamfetamine dhe MDMA, peshore elektronike, fishekë luftarakë, disa aparate celularë dhe një sasi të hollash.

Nga informacionet e marra dhe veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi J. Q., së bashku me shtetasen A. S., merrej me shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë, cannabis sativa dhe lloje të ndryshme të drogave sintetike në zonën e “Lulishtes 1 Maji” dhe në rrugën “Komuna e Parisit”.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. /a.y/noa.al

Shpërndanin drogë në Tiranë, “Mix” prangos dy persona, mes tyre një femër LAJMI: https://noa.al/lajmi/2020/07/2171559.html

Publiée par Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA sur Mercredi 1 juillet 2020