Transmetuar më 01-07-2020, 12:18

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, reagon lidhur me emërimin e vajzës së shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, Besiana Kadare, si zëvendës presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Urime Besiana Kadare, për zgjedhjen e Shqipërisë në një pozicion kaq të rëndësishëm”, shkruan Kim.

Besiana Kadare u shpreh krenare teksa njoftoi se Shqipëria është zgjedhur zëvendës Presidente e seancës së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Është një nder i veçantë të shërbejë si zv.presidente i këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia. Është një privilegj i tillë dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një shikueshmëri të madhe në arenën ndërkombëtare”, shkroi Kadare.

Ajo bëri me dije se secili grup rajonal në Kombet e Bashkuara përfaqësohet me një zëvendës President në Asamblenë e Përgjithshme dhe se Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Evropës Lindore (anëtarët e EEG përfshijnë Ballkanin, Evropën Lindore, Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë, Azerbaidjanin, Armenia etj.) /a.y/noa.al