Transmetuar më 01-07-2020, 21:07

OPINION NGA FATON MEHMETI

Thua se kishte ra ndonjë termet, apo ndonjë fatkeqësi kombëtare, Edi Rama, krejt pa pritur aterroi në Prishtinë.

Në rolin e “babait të kombit”, Edi u duk shumë i mërzitur më aktakuzën ndaj ortakut të tij në copëtimin e Kosovës, presidenti aktual Hashim Thaçi. Aq shumë ishte mërzitur Edi sa nuk ka fjalë të zezë pa thënë për krejt dynjanë, e besa këtë s’do e bënte nëse do të ishte fjala vetëm për Hashim Thaçin si president, pa ndonjë arsyeje të veçantë.

Pothuajse një vit më parë Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës në atë kohë, dha dorëheqje për ftesën nga Haga, por Edi Rama nuk u mërzit shumë. Edi doli dhe tha se, “ka të bëjë me fatin personal të Ramushit, ndërkohë që për Hashimin thotë krejt ndryshe, “aktakuza ndaj Thaçit është tentim për njollosje të UÇK-së”.

Si shpjegohet pra që për Ramushin qenka fati i tij personal, ndërsa për Hashimin nuk paska të bëj më e fatin e tij personal, por, të UÇK-së.

Loja me dy standarde të Edi Ramës ka një shpjegim.

Edi Rama me Thaçin dhe Vuçiqin janë përmendur nga shumë njohës dhe politikanë të ndryshëm se janë treshja që synojnë ndarjen e Kosovës.

Ndonëse, z. Rama e ka kundërshtuar një gjë të tillë, ekziston prapë se prapë një bindje e tillë, e cila përforcohet edhe më shumë më veprime e tija të fundit, me lojën me dy standarde.

Tentative për të stigmatizuar drejtësinë nën diktatin e politikës nuk është vlerë perëndimore, as amerikane, të cilën z. Rama e ka si referencë. Vizita e tij në Prishtinë shpërfaqi frikën e madhe e dështimit të ndryshimeve të kufijve.

Edi Rama dikur, i konsideruar nga zonja Merkel si lider i saj i preferuar për Ballkanin, ka braktisur rrugën e Evropës për t’u bashkuar me Hashimin në projektin amerikan, i cili duket se po dështon pas aktakuzës ndaj Thaçit.

Mërzia e tij është e kuptueshme, duke ditur se tanimë ka mbetur as me Evropën dhe as me Amerikën.

/NOA.al