Transmetuar më 02-07-2020, 08:40

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar “Pallati” ka vënë në pranga një person, i akuzuar për vjedhje në banesat e dëmtuara nga tërmeti.

Nga hetimet e kryera janë zbardhur 7 vjedhje të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Durrësit.

Si rezultat i një pune të mirëorganizuar, në kuadër të operacionit u bë arrestimi i Xh. K., 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Nga hetimet e kryera rezulton se 35-vjeçari, gjatë muajve të fundit, ka kryer disa vjedhje në qytetin e Durrësit, duke u futur në banesat e dëmtuara nga tërmeti që janë të braktisura nga banorët, ku ka vjedhur sende dhe orendi të ndryshme, konkretisht:

– Më datë 16.04.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet ka vjedhur në një pallat, 10 matës uji;

– Më datë 29.04.2020, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit N. K., matësin e energjisë elektrike;

– Më datë 29.05.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur matësit e energjisë elektrike në një pallat;

– Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetases A. Ll., një kondicioner;

– Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet e ka vjedhur 10 matës uji në një pallat 5-katësh në pronësi të shtetasit Sh. H.;

– Më datë 23.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur mobiliet në banesën e shtetases R. B.;

-Më datë 26.06.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit S. A.

Ndaj të ndaluarit, materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprën penale “Vjedhja”. /a.y/noa.al