Transmetuar më 02-07-2020, 09:36
Foto ilustruese

Duhet të rrinte në arrest shtëpie, masë e cila i ishte vendosur nga Gjykata për armëmbajtje pa leje, por nuk ndali veprimtarinë e tij, duke kryer vjedhje.

Policia e Elbasanit arrestoi këtë të mërkurë O. Sh., 19 vjeç, banues në fshatin Mengël, Elbasan, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan i kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Uniformat blu morën informacion se 19-vjeçari nuk e zbatonte vendimin e Gjykatës dhe pasi kanë ushtruar kontroll për zbatimin e masës së sigurisë, nuk e kanë gjetur në banesë. Pas kontrolleve të shumta Policia ka gjetur dhe arrestuar shtetasin O. Sh., i cili ishte në lëvizje.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera u zbulua se i riu është autor i dyshuar i dy vjedhjeve.

Ai akuzohet se më 27 qershor në fshatin Mengël, Elbasan, dyshohet se ka vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të shtetasit K. M., ku ka marrë mallra të ndryshme me vlerë 20.000 lekë.

Ndërkohë më 17 qershor, në fshatin Mengël, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në magazinën në pronësi të shtetasit P. D.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprimet e mëtejshme. /a.y/noa.al