Transmetuar më 02-07-2020, 10:23

Studentët e Fakultetit Ekonomik janë mbledhur sot në protestë, duke kërkuar pajisjen me diplomën e ciklit master, për shkak se ju vonohet prej një viti.

Nëpërmjet një shkrese dërguar dekanatit, ata kërkuan një tryezë të përbashkët.

Dekani Dhori Kule, priti paraditen e sotme një përfaqësi studentësh, të cilëve iu tha se e drejta e tyre është cenuar në mënyrë flagrante.

“Kartonët e diplomave patjetër që do ti merrni, ngërçi është i qartë dhe do të zgjidhet. Do ju jap një këshillë: Asnjëherë mos bëni kompromis me shkeljen e ligjit. Po u bëtë një herë ai ju merr me vete e ju bën rrobë, bëhet praktikë e nuk e ndalni dot. Kjo është shfaqje e deformuar, por do të marrë zgjidhje”, u shpreh Kule.

Më tej një listë me emrat e studentëve ua dha në një zarf duke kërkuar që ta çojnë në rektoratin e Universitetit të Tiranës, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për ta.

Sipas tij, kërkesa për të dërguar listat e studentëve është alibi dhe mënyrë për të çorientuar opinionin publik, duke sqaruar listat janë gati qysh prej datës 25 shkurt. /a.y/noa.al