Transmetuar më 02-07-2020, 11:59

Dita e sotme shënoi rekord me 82 të infektuar në 24 orët e fundit, numër i njëjtë më raportimin e 16 qershorit, ndërkohë që ka nisur të dalin detaje nga ajo që ka zbuluar gjurmimi.

Mësohet se në Durrës janë infektuar tre punonjës të Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror dhe më konkretisht punonjës që merrnin tamponët.

Po ashtu është infektuar edhe një punonjës i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë inspektimeve të bëra për garantimin e kushteve të sigurisë.

Ndërkohë në Vorë, ka rezultuar i infektuar bashkëshorti i një farmacisteje, për të cilin vijon hetimi epidemiologjik, për të zbuluar se nga e ka marrë virusin.

Një tjetër rast është zbuluar në një fasoneri, ku një grua ka dalë e prekur nga Covid-19, nga kontaktet e rasteve të mëparshme.

Po ashtu të infektuar rezultuan edhe dy të moshuar, të cilët kishin pasur kontakte me një familjar të prekur me koronavirus.

Dy rastet e reja të të infektuarve në Fier, vijnë nga një familje në Patos.

Bëhet fjalë për burrin e një gruaje të zbuluar më herët pozitive nga koronavirusi, si dhe nusja e djalit të saj.

Dyshohet se ka qenë nusja ajo që e ka marrë virusin, pasi kishte shkuar me të atin në QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë, për një vizitë.

Në orët e fundit janë shënuar 82 raste pozitive, nga 368 testime të kryera.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është: 30 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Kavajë, Fushë-Arrëz, 5 në Vlorë, nga 4 raste në Krujë, Durrës, Lushnje, nga 2 raste në Fier, Kurbin, Korçë, Berat, Dibër, Vau i Dejës, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Lezhë, Has, Pukë dhe Rrogozhinë.

Teksa numri i viktimave ka shkuar në 69, në vendin tonë aktualisht janë 1034 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:Tiranë 387; Durrës   203; Shkodër 152; Vlorë 110; Fier 51; Lezhë 45; Korçë 28; Kukës 19; Elbasan 16; Berat 8; Dibër 8 dhe Gjirokastër 7. /a.y/noa.al

Covid-19 shkakton tre viktima të tjera, shkon në 69 numri i të vdekurve

Rekord të prekurish me koronavirus, shënohet dita e dytë me 82 infektime/ 3 viktima në orët e fundit