Transmetuar më 02-07-2020, 12:28

“Qeveria vodhi edhe thesin me miell për më të pamundurit gjatë karantinës. Thesi me miell, i premtuar nga Rama, u zëvendësua me 2 kg hurma arabie”.

Është kjo deklarata e fortë e bërë nga ish-deputetja demokrate, Dhurata Çupi, e cila tha se investigimi i i publikuar nga rrjeti investigativ BIRN,  zbuloi se Qeveria e përdori pandeminë për të vjedhur edhe bukën e gojës të atyre që vuajnë për një copë bukë dhe flenë me barkun bosh nga skamja.

“Edi Rama premtoi se asnjë familje në nevojë nuk do t’i mungonte thesi i miellit, por gazetaret kanë zbuluar se ky ishte mashtrim. Thesi i miellit u zhduk nga pakot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe u zëvendësua me 2 kilogramë hurma arabie. Ky është veprimi më i ulët që mund të bëjë një qeveri kundrejt qytetarëve të vet më të pamundur. Të vjedhësh thesin e miellit, do të thotë se nuk ka mbetur më asnjë gram humanizëm tek kjo qeveri dhe se babëzia për t’u pasuruar duke vjedhur bukën e gojës të më të varfërve në ditën e tyre më të keqe, është i vetmi motiv për qeverinë e Edi Ramës”, u shpreh Çupi.

Ajo shtoi se edhe tenderi urgjent për ushqimet i Ministrisë së Mbrojtjes, ka qenë vetëm një mekanizëm për të vjedhur, pasi jo vetëm që në kohën e tenderit urgjent, magazinat e rezervave të shtetit ishin plot, por këto ndihma që iu dhanë një kompanie të paracaktuar maqedonase, nuk shkuan kurrë tek njerëzit në nevojë.

Sipas saj, pavarësisht denoncimit, nga SPAK nuk ka akoma asnjë përgjigje për këtë vjedhje skandaloze me ndihmat ushqimore për qytetarët shqiptarë në kohën kur ata kishin më shumë nevojë për to.

Çupi tha se pandemia u mësoi shqiptarëve një mësim të vlefshëm “Rreziku më i madh për qytetarët nuk vjen nga COVID-i. Ndaj tij mund të mbrohesh me masat e duhura. Rreziku më i madh për ekonominë e çdo familje është Ramavirusi. Ai vjedh me çdo tender taksat e shqiptarëve, vjedh ndihmat, fut dorën hajdute tek thesi i miellit”. /a.y/noa.al

Qeveria "manipuloi" bilancin e ndihmave për shtresat në nevojë gjatë COVID-19