Transmetuar më 02-07-2020, 15:51

Tetë persona kanë rënë në prangat e policisë pasi u zbuluan se kishin kultivuar hashash në masivin pyjor të fshatit Kotorr, në Gramsh.

Të ndaluarit janë, G. Ç., 38 vjeç, banues në Durrës, A. V., 33 vjeç, banues në Tiranë, A. N., 23 vjeç, banues në Tiranë,  E. K., 38 vjeç, banues në Shijak, E. K., 27 vjeç, banues në Gramsh,  A. K., 37 vjeç, banues në Elbasan,  L. K., 47 vjeç, banues në Elbasan dhe K. K., 18 vjeç, banues në Gramsh.

Po ashtu, është bërë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për ndalimin e shtetasit A. K., 32 vjeç, kryeplaku i fshatit Kororr, banues në Gramsh, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".

Si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të kultivonin bimë narkotike, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh referuan materialet në prokurori, ku dhe u regjistrua procedimi penal.

Si rezultat i hetimit katërmujor u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të këtyre personave, duke u finalizuar me arrestimin e tyre dhe asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara në masivin pyjor të fshatit Kotorr.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike", në bashkëpunim dhe  “Shpërdorimi i detyrës". /k.k/noa.al/