Transmetuar më 02-07-2020, 18:46

Tërmeti i 26-nëntorit la pasoja të rënda për vendin tonë dhe një ndër vendet e para që afroi ndihmë për rimëkëmbjen ishte Turqia.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan premtoi se do të ndërtonte 500 ndërtesa në një prej zonave më të prekura, atë të Laçit.

Por për shkak të procedurave për studimin e më pas blerjen e truallit, si dhe të izolimit nga Covid-19, periudha e rindërtimit u spostua, për të nisur zyrtarisht këtë muaj.

Ministri Arben Ahmetaj pas një bisede on-line që pati sot me homologun e tij turk, tha se u nënshkrua më pas edhe marrëveshja për ndërtimin e 522 banesave në Laç.

"Me Ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Projektin e Ndërtimit të 522 banesave në Laç", tha Ahmetaj.

Ai shtoi se pas nënshkrimit, "hapi i radhës, është fillimi i punës në një tjetër kantier të madh të Rindërtimit brenda hapësirës së dëmtuar nga tërmeti dhe një ndër projektet e parë të ndërtimit të zonave të reja për zhvillim".

"Përtej 522 njësive të banimit, brenda hapësirës prej 72,000m2 të ndërtimit do të ketë edhe ambiente shërbimi dhe tregtare, parkim nëntokësor si dhe hapësira të gjelbëruara. Sheshi qendror i qytetit, godina e Bashkisë dhe shkolla 9-vjecare Gjon Gjonaj, janë gjithashtu pjesë e integruar e tij", – theksoi ministri Arben Ahmetaj.

"Projekti është dizenjuar me standardet më të larta dhe sigurisë dhe cilësisë", – shtoi ai – dhe tha se do të kthehet në një model të ri të zhvillimit urban dhe social-ekonomik për Laçin.

/NOA.al